Një lojë biznesi me virusin Ebola?

18/10/2014 00:00

Pyetjet që gjithkush ngre për virusin e bujshëm të Ebolës janë: Pse nuk ka ende një kurë të posaçme për ta luftuar atë? A mos ndoshta pas këtij virusi vdekjeprurës fshihet një lojë e fuqishme farmaceutike?

Sipas një artikulli të publikuar në gazetën “The Guardian”, një popullsi me njerëz të shëndetshëm nuk është në interes të kompanive të prodhimit të ilaçeve.

Edhe pse tingëllon e triushtueshme, këto kompani shpesh bëjnë ujdi të fshehta për politika shëndetësore, të cilat shërbejnë vetëm për të gjeneruar shuma të mëdha parash në depozitat e tyre bankare.

Mirëpo në rastin e Ebolës, situata është lënë disi në hije. Edhe pse virusi është shfaqur në vitin 1976, asnjë gjigand i prodhimit të ilaçeve nuk ka nxjerrë në treg asnjë kurë të posaçme për të.

Kjo për shkak se me Ebolën gjithnjë kanë luftuar vende të botës së tretë, të cilat do të ishin në pamundësi për ta blerë vaksinën mijëradollarëshe.

Ndërsa në momentin që Ebola po kërcënon Perëndimin, shkruan ‘The Guardian’, kompanitë më të fuqishme farmaceutike në botë kanë hyrë në një konkurrencë të fortë mes tyre për të nxjerrë: Armikun e Ebolës.

‘Glakso Smith Kline’, si edhe firma kanadeze ‘Tekmira’ janë ato të cilat premtojnë më tepër se kjo vaksinë do të dalë në treg deri në fundin e vitit 2016.

Derimë tani pjesa më e madhe e shpenzimeve kundër Ebolës po përballohet nga fondet qeveritare, kryesisht të SHBA. Ndërsa në momentin e prodhimit të vaksinës, kostoja e saj do të rëndojë drejtpërdrejtë në xhepin e konsumatorëve të infektuar.

Megjithatë, deri atëherë frika nga Ebola po përhapet më shpejt sesa vetë sëmundja dhe rritja e paranojës në shumë shtete perëndimore po i nxit ato për të shpenzuar sa më shumë para vetëm për të përballuar shpërthimin e virusit.

Top Channel