Hong Kong, aktivistët zaptojnë sërish sheshet

18/10/2014 00:00

Protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong kanë pushtuar sërish lagjen Mong Kok, vetëm pak orë pasi ishin dëbuar prej andej nga forcat e rendit.

Aktivistët u përleshën me policinë dhe tani rreth 9 mijë prej tyre kanë pushtuar sërish zonën. Të paktën 26 persona janë arrestuar.

Aktivistët kanë javë që pushtojnë zona të tëra të qytetit, në shenjë proteste ndaj ndërhyrjeve të qeverisë kineze në kandidaturat e zgjedhjeve të vitit 2017.

Qeveria dhe studentët pritet të zhvillojnë bisedime ditën e martë. Përfaqësuesja e qeverisë së Hong Kongut, Carrie Lam deklaroi se të dyja palët do të dërgojnë pesë përfaqësues për negociata.

Më herët gjatë javës qeveria bëri thirrje për anulimin e bisedimeve, duke thënë se ato ishin të pamundura duke parë situatën në rrugët e ishullit.

Ndërsa lideri CY Leung deklaroi të enjten se ishte gati për dialog, por saktësoi se Kina nuk do ta tërheqë vendimin e saj për të vendosur veton ndaj kandidatëve të papëlqyer për zgjedhjet e ardhshme.

Mbajtja e bisedimeve u njoftua pas përleshjeve të verifikuara gjatë natës, ku shumë persona mbetën të plagosur, përfshirë këtu 15 oficerë policie.

Grupi aktivist Pushtoni Qndrën shpërndau një deklaratë ku thoshte se, “operacionet e pastrimit të urdhëruara nga qeveria kanë shkaktuar një valë të re pushtimi dhe përkeqësuar marrëdhëniet mes policisë dhe qytetarëve”.

Komisioneri i policisë Andy Tsang deklaroi se protestat ishin ilegale dhe po cënonin rëndë rendin dhe ligjin.

Top Channel