Nepal, 39 alpinistët e vdekur në Himalaje

18/10/2014 00:00

Të paktën 39 alpinistë kanë vdekur në vijën malore të Nepalit që më herët gjatë javës u përfshi nga stuhi të dendura dëbore dhe orteqe.

Helikopterët po vazhdojnë operacionet e shpëtimit në Himalaje për të rekuperuar alpinistët e humbur, me autoritetet që druhen se shumë trupa të tjerë mund të jenë nën dëborë.

Rreth 289 persona janë shpëtuar deri tani në atë që konsiderohet si katastrofa më e rëndë e alpinizmit në Nepal.

Një zëdhënës qeveritar tha se prioritet i operacioneve është shpëtimi i personave të bllokuar, ndërkohë që helikopterët janë ngjitur deri në 5.790 metra lartësi.

Sipas tij, një nga rrugët kryesore, kalimi Thorung, që është pika e lartë e vijës së Anapurnës, tashmë është e sigurtë pasi ushtria ka pasutruar dëborën.

“Kemi njoftim se në zonë janë ende 20 apo 25 persona dhe tani ata janë të gjithë të sigurtë”, shtoi zyrtari për BBC.

I dërguari i rrjetit informativ britanik në Nepal thotë se është ende e paqartë se për cilët alpinistë flitet dhe se cilët konsiderohen ende të munguar.

Puna e autoriteteve është bërë më e vështirë për shkak se në këtë periudhë të vitit në Nepal ka një prani prej mijëra alpinistësh.

Sipas korrespondentit, shumica e të humburve dhe viktimave besohet se janë në majat më të larta, të cilat helikopteri e ka të vështirë t’i arrijë.

Top Channel