Irak, kompletohet qeveria e unitetit

18/10/2014 00:00

Ekzekutivi irakian anti-ISIS ka marrë tashmë formën përfundimtare me plotësimin e dy pozicioneve tepër të rëndësishme të mbetura vakant që prej betimit të kabinetit të ri më 8 Shtator.

Caktimi i Mohammed Salem al-Ghabban, një musliman shiit, në krye të Ministrisë së Brendshme dhe një suniti, Khaled al-Obeidi, si ministër Mbrotjeje, e kompletojnë qeverinë e unitetit, që po përpiqet të frenojë avancimin e militantëve të Shtetit të rrezikshëm Islamik.

Caktimi i dy ministrave sjell një frymëmarrje lehtësimi brenda dhe jashtë kufijve të Irakut, të munduar prej kohësh nga konfliktet sektare. Edhe pse fushata ajrore e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara ka qenë një ndihmë e vyer në përpjekjet për zmbrapsjen e organizatës-shtet, ISIS-i vazhdon të ketë nën kontroll pjesë të mëdha territori në Veri të vendit e në Sirinë fqinje.

Një ndalim qarkullimi u vendos të premten në Ramadi, mes luftimeve të ashpra në kryeqytetin e provincës së Anbarit, skena më e fundit e përplasjeve me xhihadistët. Forcat qeveritare irakiane po luftojnë me militantët e ISIS-it edhe në vendlindjen e Sadam Huseinit, Tikrit, i cili ka rënë prej kohësh në duart e ekstremistëve.

U desh më shumë se një muaj, që të arrihej kompromisi për dy postet kyçe në qeverinë e re të Irakut. Në një vend ku edhe përpara ISIS-it, çdo muaj sillte të paktën 1.000 vdekje nga dhuna, detyra e ministrit të Brendshëm e atij të Mbrojtjes ka qenë gjithmonë tepër delikate dhe e vështirë për t’u përmbushur.

Caktimi i al-Ghabbanit si ministër i Brendshëm ishte një lloj lëshimi i partisë së tij të fuqishme shiite, Organizata Bader, e cila hoqi dorë nga kandidati i vet i preferuar, lideri i partisë, për shkak se ai nuk pranohej nga sunitët.

Edhe fakti që al-Obeidit iu besua Ministria e Mbrojtjes ka një domethënie të qartë simbolike: ai është një politikan i fuqishëm sunit nga Mosuli, qyteti i parë i pushtuar nga Shteti Islamik. Kryeministri i mëparshëm i Irakut, Nuri al-Maliki, u detyrua të jepte dorëheqjen në muajin Gusht, pas akuzave të komuniteteve sunite dhe kurde se administrata e tij ndiqte politika sektare.

Top Channel