SHBA kërkojnë marrëveshje

18/10/2014 00:00

Departamenti amerikan i Shtetit i ka ftuar sërish liderët politikë në Kosovë që të gjejnë urgjentisht zgjidhje për tejkalimin e ngërçit politik.

Senatori amerikan Christopher Murphy, i cili në shenjë pakënaqësie me gjendjen politike ka refuzuar t’i takojë liderët politikë, ka thënë se partitë duhet të gjejnë një zgjidhje edhe nëse ajo nënkupton sakrifica personale.

Në një fjalim të tij në Universitetin Amerikan të Kosovës, senatori Murphy ka thënë se edhe dy partitë e mëdha në SHBA kanë dallime të mëdha në prioritetet e tyre, mirëpo kur është në pikëpyetje interesi kombëtar, sipas tij, të dyja partitë bashkohen për të gjetur zgjidhjen më të mirë për vendin.

“Për këtë ne amerikanët shpresojmë se kjo do të ndodhë këtu në Kosovë, që partitë politike do të jenë në gjendje t’i lënë anash qëndrimet e tyre politike individuale dhe do të krijojnë një koalicion, që përfshin sakrificë personale për të mirën e vendit. Për këtë, arsye në të vërtetë është demokracia. Shpresojmë se në një kohë të shkurtër miqtë e Kosovës do të jenë në gjendje ta vizitojnë Prishtinën dhe të takohen jo vetëm me presidenten, por të ulen dhe të takohen edhe me qeverinë e re”, ka deklaruar Murphy.

Senatori Murphy nuk ka harruar të flasë para studentëve edhe për luftën e shtetit të Kosovës ndaj ekstremizmit fetar.

“Në takimin me presidenten e Kosovës unë e lavdërova atë për përpjekjen që ky vend po bën për çrrënjosjen e ekstremizmit, për arrestimin e atyre që do të luftonin për shndërrimin e fesë dhe ideologjisë për qëllime të dhunshme. Bota i është mirënjohëse qeverisë tuaj për këto përpjekje”, ka thënë Murphy.

Duke folur në emër të Departamentit amerikan të Shtetit, senatori ka lavdëruar shtetin e Kosovës për arritjet në pesë vitet e shtetësisë, në veçanti në raportet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Top Channel