Beograd, “blindohet” Ambasada shqiptare

18/10/2014 00:00

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd është blinduar të shtunën nga frika e një proteste të dhunshme para selisë së saj, pak ditë para vizitës së paralajmëruar të kryeministrit Rama.

Paralajmërimet për trazira të mundshme kanë bërë që pranë Ambasadës shqiptare të ketë një prani të theksuar të forcave të
policisë serbe, si dhe të 4 autoblindave të pajisura me pompa uji, për
të shpërndarë protestuesit në rast të një tubimi të dhunshëm.

Masa të larta sigurie janë marrë edhe për Ambasadën e Gjermanisë, tek e cila janë vendosur po ashtu disa qindra forca policie.

Lajmi për mundësinë e një proteste të tillë është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme shqiptare në Tiranë. Ndërkohë që të shtunën, në këtë qytet u zhvillua edhe ndeshja derbi e futbollit, midis Partizanit të Beogradit dhe Crvena Zvezdës, një arsye më shumë për të qenë vigjilent.

I lidhur direkt përmes telefonit me studion e lajmeve të Top Channel, në edicionin e orës 19:30, korrespondenti ynë në Beograd, Idro Seferi raportoi:

“Është e zakonshme që kur ka ndeshje forcat policore të shtohen para Ambasadës Shqiptare. Duket se policia i ka marrë masat duke vendosur shumë njësi policie. Aktualisht situata duket e qetë dhe nga kontaktet me stafin e ambasadës rezulton se ata janë mirë. Masa sigurie janë marrë edhe para Ambasadës Gjermane, ku janë vendosur 300 policë. Tifozët serbë kanë një traditë të keqe sa u takon sjelljeve të tyre, por këtë herë ndikon edhe situata e tensionuar që pas ndeshjes me Shqipërinë”.

Dhe, në fakt, ndeshja e luajtur në orët e mbrëmjes nuk kaloi pa incidente. Tifozët serbë në buzë të stadiumit kishin vendosur një banderolë të gjatë ku shkruhej ‘Kosova është Serbi’, ndërsa raportohet edhe për një djegie të flamurit shqiptar.

Gjithashtu, grupe tifozësh, pasi hodhën në fushë fishekzjarre dhe bomba tymi, u përleshën me policinë, e cila përdori ndaj tyre shkopat e gomës.

Në ditët e fundit, Ambasada shqiptare në Podgoricë të Malit të Zi u bë dy herë objekt sulmesh nga persona të ndryshëm, të cilët shkaktuan jo thjesht dëme në pjesën e jashtme të godinës, por hynë edhe në brendësi të saj.

E gjitha kjo ndodhi në praninë e policisë. Ndërsa natën mes së enjtes dhe së premtes lokale dhe furra buke në pronësi të shqiptarëve nga Kosova u sulmuan nga grupe huliganësh në krahinën e Vojvodinës.

Vetëm në Novi Sad u shkatërruan pjesërisht dhe plotësisht nëntë ndërtesa, ku ushtronin aktivitet shqiptarët, dy prej të cilave pësuan dëmtimet më të mëdha për shkak të sulmeve me bomba molotov. Për fat të mirë nuk pati të lënduar.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel