Berisha: Në Beograd shpërtheu albanofobia

18/10/2014 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi nga Gjeneva se çështjet kryesore për të garantuar sigurinë e Ballkanit dhe integrimin e tij europian janë zbatimi i marrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, funksionimi i shtetit ligjor dhe lufta kundër kriminalitetit.

Zoti Berisha, i cili ishte ftuar ne forumin Crans Montana, u shpreh se “zhvillimet e fundit ne Beograd ishin një eksplozion i albanofobisë dhe të njëjta ishin dhe deklaratat e autoriteteve më të larta të Beogradit të mbajtura pas ndeshjes”.

Ish-kryeministri i Shqipëisë theksoi se, “është e domosdoshme që problemi i albanofobisë, si forma më e vjetër dhe më e egër e racizmit, të trajtohet me seriozitetin më të madh nga institucionet ndërkombëtare dhe vendet mike”.

Lidhur me këtë çështje, presidenti i Forumit Crans Montana, zoti Carteron, theksoi se “skenat në stadium dëshmuan qartë se demonët e nacionalizmit serb mbeten të zgjuar, aktivë dhe të rrezikshëm”.

Nga ana tjetër, sipas ish-kryeministrit Berisha, anëtarësimi në NATO është rruga më e sigurtë për garantimin e paqes së qëndrueshme në Ballkan, por ai u shpreh se vendet e rajonit duhet të ndajnë mendjen mirë, “nëse duan vërtet të anëtarësohen në NATO, apo të vazhdojnë flirtin me rusët”.

Top Channel