Superiore, Tirana rimerr kryesimin

18/10/2014 00:00

Tirana rikthehet të marrë kryesimin e klasifikimit të Kategorisë Superiore, pasi ka mundur 3-1 Kukësin në “Qemal Stafa”. Një ndeshje që filloi me gol që në minutën e parë. Krosimi i Kalarit u shndërrua në një autogol të Dushkut dhe bardheblutë morën edhe komandën e lojës.

Pasi humbën disa raste të pastra shënimi, kuksianët fituan terren dhe gjetën golin e barazimit me Lushtakun, i cili e gjeti të pavëmendshëm portierin Frashëri.

Më pas ishin kuksianët që goditën edhe traversën e Tiranës, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalonin. Por në pjesën e dytë Tirana rimori kryesimin si me lojë, ashtu edhe me rezultat. Një kros i Morinës u shndërrua në një supergol me roveshatë nga Bakaj.

Ndërkohë që Kukësi drejt fundit pati shansin më të mirë të barazonte me një 11-metërsh që shkaktoi Muça, por Pejiç e çoi topin në pjesën e jashtme të traversës.

Si për të mbyllur në mënyrë të merituar këtë fitore ishte Debatik Curri, i cili shënoi një tjetër gol thuajse të pamundur. Një goditje nga 50 metra e gjeti të papërgatitur portierin Halilaj, që u fut në rrjetë bashkë me topin.

Me këtë fitore Tirana ka rimarrë kryesimin e kampionatit me 15 pikë. Ndërkohë, në Elbasan, Laçi fitoi me rezultatin 0-2 përballë vendasve në “Ebasan Arena”.

Skuadra e Cungut shënoi nga një gol në secilën pjesë. Në të parën me Buljan dhe në të dytën me një 11-metërsh të Cetkoviç. Me këtë fitore ky ekip ngjitet në kuotën e 13 pikëve, aq sa edhe Flamurtari dhe Kukësi.

Top Channel