Bayern vendos diktatin, e ndjek Gladbach. Dortmundi në krizë

19/10/2014 00:00

Bundesliga duket se edhe këtë vit do të jetë nën diktatin e bavarezëve të Bayern Munchen.

Gjigantët e futbollit gjerman, në javën e 8 të kampionatit, kanë shpartalluar 6-0 Werder Bremenin, kjo falë dygolëshave të Lahm dhe Gotzes, 11-metërshit të Mullerit, si dhe një supergoli të Xabi Alonsos, duke ruajtur sërish distancën prej 4 pikësh në krye të klasifikimit ndaj rivalit të vjetër Munchengladbach.

Këta të fundit, ku aktivizohet edhe shqiptari me origjinë, Granit Xhaka, kanë mposhtur pastër në transfertë Hannoverin, ku lojtari që aktivizohet për ngjyrat e Zvicrës shënoi edhe gol.

Ndërkohë, nuk ka të sosur kriza e Borussia Dortmundit, e cila pëson humbjen e pestë në këtë edicion të Bundesligës. Të besuarve të Jurgen Klopp nuk u mjafton goli i shënuar nga Immobile, pasi në Këln fitojnë të zotët e shtëpisë.

Në “Allianz Arena”, skuadra e Guardiolës jep spektakël, siguron 3-pikëshin e radhës duke u ngjitur në kuotën e 20 pikëve dhe tashmë bëhet gati për vizitën në Romë, në mesjavë, për Champions Leaguen. Një tjetër italian, Di Matteo, tashmë në rolin e trajnerit të Schalke 04, nuk zhgënjen në debutimin e tij në këtë rol pas fitores 2-0 të tyre ndaj Hertha Berlin.

Top Channel