Sinodi katolik refuzon “hapjen” ndaj homoseksualëve

19/10/2014 00:00

Grupet katolike për të drejtat e homoseksualëve janë shprehur tepër të zhgënjyer pasi peshkopët refuzuan thirrjen për një hapje më të madhe pranimi ndaj personave gay, gjë që kishte marrë edhe mbështetjen e Papa Françeskut.

Projekt-raporti, i cili nxiste gjithashtu më shumë tolerancë ndaj të divorcuarve që rimartohen, dështoi të fitonte përkrahjen e 2/3-tave të peshkopëve, të mbledhur në sinodin e Romës.

Raporti përfundimtar theksonte vetëm faktin që diskriminimi antigay “duhej shmangur”. Papa Françesku ka kërkuar që i gjithë dokumenti i këtij drafti, përfshi edhe paragrafet e refuzuara, të publikohen.

Sinodi do të mblidhet sërish vitin e ardhshëm, por me një formë më të zgjeruar. Rreth 200 peshkopë kaluan rreth 2 javë diskutime mbi çështjet e jetës familjare në Vatikan. Sinodi zbuloi gjithashtu një vijë thyerjeje në opinionin e Kishës mbi atë se si të përshtatet mësimi tradicional mbi seksualitetin e njeriut sipas sjelljeve të shekullit të XXI (21).

Papa Françesku kishte bërë një apel të fuqishëm ndaj tradicionalistëve, të mos kufizonin vetveten në atë letrën e ligjit, por kardinalët konservatorë dhe peshkopët refuzuan në fund të ditës.

Ndërkohë, “Ministria e Mënyrave të Reja”, një grup katolik amerikan për të drejtat e homoseksualëve, bëri të ditur se kishte mbetur “tepër e zhgënjyer” nga raporti përfundimtar i sinodit, i cili nuk kishte ruajtur “mirëpritjen mëshiruese ndaj njerëzve lesbike dhe gay, që përfshiheshin në projekt-raport”. Megjithatë, grupi shtoi se “gatishmëria për diskutime” e sinodit jepte “shpresa për zhvillime të tjera përgjatë kohës”.

Top Channel