“Retorika pas ndeshjes nuk i shërben rajonit”

19/10/2014 00:00

Shqipëria rikonfirmon vullnetin për bashkëpunim dhe politikë të fqinjësisë së mirë me çdo shtet në rajon. Krerët më të lartë të shtetit dhe politikës vendase kanë gjetur rastin të bëjnë këtë rikonfirmim të hershëm dhe të vlerësuar të politikës sonë të jashtme, në takimin me Kryetarin e Nënkomisionit për Çështjet Europiane dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Senatit të SHBA, Cristopher Murphy, i cili ka mbërritur në Tiranë për vizitë zyrtare në kuader të një turi ballkanik.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i deklaroi zotit Murphy se më e rëndësishme është të fitojmë të ardhmen e përbashkët europiane se sa një ndeshje sportive.

“Ne e mirëpresim angazhimin e Serbisë në funksion të bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, në të mirë të të dy popujve dhe qytetarëve tanë, gjë që realizohet vetëm përmes dialogut konstruktiv dhe qëndrimit larg retorikave të panevojshme nacionaliste që tentojnë të na kthejnë pas në histori”, deklaroi kryeparlamentari shqiptar.

Ai i ka garantuar zyrtarit nga SHBA se Shqipëria qëndron e hapur për dialog dhe bashkëpunim konkret më Serbinë, ashtu si edhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në funksion të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon, duke veçuar njohjen dhe mbështetjen e Kosovës së pavarur si një kontribut të provuar të kësaj qasjeje.

Duke vënë theksin tek qëndrimi i Shqipërisë pro zgjerimit të NATO-s me vendet e tjera të rajonit, Presidenti ndau bindjen se anëtarësimi i plotë i vendeve tona fqinje në Aleancën e Atlantikut të Veriut është garanci për rajonin, por edhe vetë NATO-n, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë.

Senatori amerikan ndau të njëjtin qëndrim me shefin e diplomacise shqiptare Ditmir Bushati se “retorika e pas ndeshjes nuk i shërben bashkëpunimit dhe prosperitetit të vendeve të rajonit”. Në takimin me Ministrin e Jashtëm, ashtu si në të gjitha takimet me zyrtarët më të lartë shqiptarë, senatori amerikan vleresoi rolin e Shqipërisë, angazhimin e saj përkrah aksioneve më të rëndësishme ndërkombëtare të Aleancës kundër terrorizmit, ISIS, por edhe në Ukrainë.

“Pavarësisht se është një vend i vogël, Shqipëria është një nga aleatët më të medhenj të SHBA”, citohet të ketë thënë senatori amerikan, i cili ka shtuar se SHBA vlerësojnë aleancën e veçantë dhe qëndrojnë gjithnjë përkrah Shqipërisë në rrugëtimin e saj euro-atlantik”.

Opozita shqiptare gjithashtu deklaroi mbështetjen e plotë për një histori të re marrëdhëniesh mes fqinjëve në rajon, me shikim nga e  ardhmja europiane e të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit, siç theksoi zoti Basha.

“Kjo kërkon shkëputje nga stigmat e racizmit dhe fobive dhe që ky investim të shkojë drejt konsolidimit të vlerave dhe standardeve demokratike në të gjitha vendet e rajonit dhe jo flijimit të tyre nën petkun e një stabiliteti të rremë antidemokratik”, citohet të ketë deklaruar kryetari i PD, Lulzim Basha në takimin me senatorin amerikan, të cilit i ka bërë edhe një panoramë të zhvillimeve në vend dhe i ka shprehur shqetësimet e opozitës.

Top Channel