ISIS kryqëzon 17 vjeçarin

19/10/2014 00:00

Për tre ditësh rresht, trupi i gjakosur i një 17 vjeçari të vrarë nga ISIS-i ka qëndruar në një kryq në sheshin qendror të Raqqa, kryeqyteti ‘de fakto’ i ekstremistëve.

Se për çfarë akuzohej adoleshenti, këtë e tregon një letër me shkrim dore e varur në qafën e tij. I riu, sipas militantëve të dhunshëm të Shtetit Islamik, kishte braktisur fenë e vet e përpos kësaj është kapur duke marrë 500 lira turke për çdo fotografi të shkrepur në një bazë të grupit ekstremist.

Fotot e adoleshentit të vdekur janë shfaqur në një media sociale, në profilin e grupit aktivist të njohur që mban emrin: “Raqqa” po masakrohet në heshtje”. E përbërë nga një grusht individësh tepër të guximshëm që i kundërvihen ISIS-t, thotë shtypi britanik, kjo organizatë përpiqet të dokumentojë aktet e dhunës e terrorit që Shteti Islamik ka mbjellë në qytetin dikur të qetë sirian.

Megjithatë pamjet e djaloshit të kryqëzuar publikisht janë qarkulluar në “Twitter” jo vetëm nga pjesëtarët e fushatës anti-ISIS, por edhe nga mbështetësit e këtij të fundit, të cilët e trumbetojnë gjestin barbar si shembull pozitiv të interpretimit brutal që militantët i bëjnë Islamit.

Charlie Winter, ekspert i anti-terrorizmit pranë “Quilliam Foundation”, kujton sesi kryqëzimi është përdorur më parë si ndëshkim për tradhtarët. ISIS-i e ka shkëputur nga interpretimi fondamentalist i bërë një vargu të Kuranit ku thuhet: dënimi për këdo nis luftë kundër Allahut dhe lajmëtarit të tij nuk do te jetë tjetër veç vdekjes, kryqëzimit, prerjes së duarve e këmbëve apo dëbimit nga toka e vet.

Por grupi i dhunshëm, vazhdojnë gazetat britanike, ka zgjedhur ta injorojë paragrafin pasardhës, i cili e vë theksin te mundësia e faljes dhe e heq detyrimin e përdorjes së një ndëshkimi të tillë në rastet e pendesës, për të treguar kësisoj se Allahu është i madh e i mëshirshëm.

Qendra e Raqqa është e zhytur në gjak që kur grupi i terrorit mori në fillim të këtij viti të gjithë qytetin në duart e tij. Sheshi qendror i saj është kthyer në një vend ku ekspozohen rregullisht koka të prera njerëzish, ndërsa kryqe druri e metali qëndrojnë në këmbë si kujtesë e tmerrshme e ekzekutimit të radhës.

Top Channel