SHBA: Vuçiç të presë Ramën në Serbi

19/10/2014 00:00

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë një mik më të mirë në rajon sesa Shqipëria dhe shpresoj që Shqiperia të mos ketë një mik më të mirë në botë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ky nënvizim i kryetarit te nënkomisionit për Europën në Komisionin e Jashtëm të Senatit amerikan, i parapriu një mesazhi të drejtpërdrejtë të tij nga Tirana për Kryeministrin serb, Aleksander Vuçiç.

Prania e tij në Beograd ditën e shfaqjes së dhunës ndaj përfaqësueses së kombëtares sonë dhe delegacionit të Federatës shqiptare, e ka bërë mesa duket më të qartë për senatorin amerikan pohimin e drejtpërdrejtë për prani të huliganizmit në këtë stadium.

Por mesazhi  tij për Beogradin ishte ai i mos udhëheqjes së politikës nga këto shfaqje.

“Unë besoj se nuk duhet ta lëmë huliganizmin në futboll të bjerë ndesh me thellimin e marrëdhënieve dhe lidhjeve mes vendeve të këtij rajoni. Jam takuar dhe këtë mesazh ia kam përcjellë Kryeministrit Vuçiç në serbi. Ia kam përcjellë atij këtë mesazh dhe unë shpresoj që ai të zgjohet nesër në mëngjes dhe të rikonfirmojë ftesën që Kryeministri juaj të vizitojë Beogradin. Kur lindin probleme siç ndodhi me këtë ndeshje, është e domosdoshme që udhëheqësit të ngrihen mbi to dhe të bisedojnë dhe jo secili prej tyre të zërë këndet anësore. Është e rëndësishme të thuhet që ndërsa vazhdon dialogu në rajon, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah Shqipërisë dhe fqinjëve tuaj, ndërsa e përkrah të gjithë rajonin”, u shpreh Christopher Murphy.

Senatori amerikan vlerësoi veçanërisht faktin se Shqipëria ka qenë përkrah SHBA në shumë sfida ndërkombëtare. E ndërsa Shqipëria bëhet gati për anëtarësim në BE deklaroi ai, është momenti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rrisin dhe jo të zvogëlojnë përkushtimin ndaj Shqipërisë. Ky është një mesazh që Christopher Murphy u angazhua ta marrë me vete në Senatin amerikan.

Top Channel