Japoni, dorëhiqen dy ministre

20/10/2014 00:00

Ministrja e Drejtësisë së Japonisë së bashku me ministren e Tregtisë dhe Industrisë kanë dhënë dorëheqjen pas skandaleve ku u gjetën të përfshira. Midori Matsushima është akuzuar nga opozita për dhunim të ligjit elektoral, ndërsa Yuko Obuchi mendohet se ka abuzuar me fondet.

Sipas BBC, këto dorëheqje kanë frenuar planin e kryeministrit Shinzo Abe për të sjellë më shumë femra në postet më të larta qeveritare.

Zonja Obuchi shihej si një kryeministre e mundshme e vendit aziatik në të ardhmen, por publikimi i skandalit me keqpërdorimin e fondeve të fushatës elektorale i ka shkatërruar karrierën.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka pranuar fajin, por në një konferencë për shtyp theksoi se po jep dorëheqjen pasi “politika ekonomike dhe ajo energjitike nuk mund të mbesin në vend-numëro për shkak të problemeve të mia”.

Ndërsa zonja Matsushima dha dorëheqjen pasi kishte shpërndarë fletëpalosje me imazhin dhe vijën e saj politike në një fesival. Partia Demokratike në opozitë u ankua ditën e premte dhe kërkoi dorëheqjen e ministres duke thënë se kjo ishte një shkelje e hapur e ligjit elektoral.

Top Channel