Deputetët e pakicave letër Jahjagës

20/10/2014 00:00

Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkojnë shpjegime kushtetuese për zbatimin e pikës 127 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Plot 18 nga 20 deputetë të pakicave i kanë dorëzuar presidentes Atifete Jahjaga një kërkesë përmes së cilës i kanë kërkuar asaj që t’i kërkojë sqarime ligjore dhe kushtetuese gjykatës, për zbatimin e pikës 127 të vendimit për konstituimin e Kuvendit.

“Ne e kemi kërkuar këtë sepse pika 127 nuk është shumë e qartë. Ne kërkojmë të shpjegohet me saktësi se si të veprojmë brenda Parlamentit”, ka deklaruar Duda Balje, deputete e minoritetit boshnjak.

Deputetët nënshkrues të kësaj kërkese deklarojnë se nëse presidentja nuk e kërkon sqarimin nga gjykata, atëherë ata do të mbledhin 30 firmat e duhura dhe do t’i drejtohen vetë gjykatës. Ata janë shprehur kundër zgjedhjeve të reja.

Por në mesin e pakicave ka dhe nga ata që mendojnë se në zgjedhjet e fundit u janë vjedhur votat dhe mbështesin idenë e përsëritjes së tyre. Ndër ta është dhe një ministër i qeverisë në ikje.

“Konsideroj se forma për të shmangur çdo proces demokratik nuk është sipas ligjeve dhe e bazuar në demokracinë e vendit”, ka thënë Nenad Rashiç, deputet i minoritetit serb dhe ministër i Punës.

Po ashtu, gjatë ditës së hënë blloku post zgjedhor është takuar sërish për të deklaruar se mesazhi i sjellë në Prishtinë nga senatori amerikan Christopher Murphy, si dhe takimet me kryetarin e PDK nëpër aktivitete të ndryshme, nuk e kanë lëvizur qëndrimin e tyre.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka pranuar se presioni ndërkombëtar për krijimin e institucioneve është shtuar, por sipas tij ata që bëjnë presion për bashkëqeverisje me PDK-në nuk i duan të mirën Kosovës.

“Thonë se do të ketë presion ndërkombëtar për të bashkëqeverisur me Thaçin. Por askush që ka mend në kokë nuk na detyron të bashkëqeverisim me personin që e ka sjellë Kosovën në gjendjen e prezantuar në raportin e progresit. Vetëm atyre që janë të korruptuar apo që kanë interesa të caktuara mund t’u shkojë mendja në këtë drejtim. Zyrtarët ndërkombëtarë të vendeve që e duan Kosovën nuk po na thonë bashkëqeverisni me të”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj nuk e ka mohuar mundësinë e takimit të përbashkët mes gjithë liderëve tek presidentja, por sipas tij qëndrimi i Bllokut se nuk bashkëqeveris me PDK është i palëkundur.

Top Channel