Mediat serbe: Identifikohet lëshuesi i dronit

20/10/2014 00:00

Mediat italiane citojnë të përditshmen beogradase “Informer” që pretendon se ka identifikuar si lëshuesin e dronit në stadiumin Partizani, 32-vjeçarin Ismail Morinaj, i cili është rezident në Itali.

Gazeta thotë se Morinaj mbërriti në kryeqytetin serb me një makinë me targa italiane dhe në një hotel të Beogradit është paraqitur gjithashtu me një kartë identiteti italiane. E përditshmja serbe që thotë se ka kryer një hetim të sajin për këtë çështje, duke rindërtuar atë që ajo thotë se është dinamika e ngjarjes, shkruan se veprimi është ideuar nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar, i cili është prej kohësh mik me Morinajn.

Ky i fundit, dronin thuhet ta ketë lëshuar nga kupola e Kishës së Shën Gabrielit në Beograd, ndërsa Rama gjoja e ka marrë kontrollin direkt nga stadiumi, ku ishte ulur në tribunën VIP, falë një aplikacioni të instaluar në iPhone-in e tij.

Policia serbe, thuhet më tej, e ka identifikuar Morinajn i cili është larguar prej një jave nga Serbia dhe ka kërkuar ndihmën e Interpolit për arrestimin e tij.

Top Channel