Adoleshenca drejt degradimit

20/10/2014 00:00

Konsumi i alkoolit, duhanit, kanabisit, por dhe marrëdhëniet seksuale të hershme në grupmoshat 11, 13 dhe 15 vjeç, pritet të sjellin pasoja jo të pakta në brezin e ri që po rritet.

Një studim i Institutit të Shëndetit Publik, i fokusuar pikërisht në këto grupmosha me 4900 nxënës shkollash në të gjithë vendin, sjell fakte tronditëse.

3.4% e tyre raportojnë se konsumojnë alkool rregullisht dhe 1.5% e tyre konsumojnë të paktën 5 lloje pijesh. Ndërsa lidhur me marrëdhëniet seksuale, vetëm në një vit është rritur me 5% numri i adoleshentëve 14-15 vjeç, të cilët kanë kryer marrëdhënie seksuale, një problem jo i vogël, ku si pasojë kemi dhe aborte të vajzave të kësaj moshe, të cilat vijnë për shkak të mospasjes së informacionit të nevojshëm për ta evituar atë.

“Në qoftë se vjet u raportuan 14.5% e rasteve të kryerjes së marrëdhënieve seksuale, këtë vit ka shkuar në 19,5%. Ajo që vihet re është se në mënyrë absolute raportojnë shumë më tepër meshkujt kryerjen e marrëdhënieve seksuale, se sa vajzat, në një raport 95% me 5%. Një fakt tjetër interesant është përdorimi i kanabisit”, tha Gentiana Qirjako, shefe e Departamentit të Promocionit, ISHP.

Djemtë e moshës 15 vjeç, që ndjekin shkollën, raportojnë se kanë konsumuar kanabis të paktën një herë gjatë jetës së tyre, ndërsa 2.3% thonë se kanë konsumuar kanabis të paktën një herë gjatë 30 ditëve të fundit.

Nuk janë të pakta dhe vajzat që konsumojnë droga të lehta, por në këtë studim, raportimi i tyre është i pakët. Por më shumë se shifra, ky studim duhet të jetë një alarm i institucioneve përkatëse, që merren me edukimin dhe kujdesin e të rinjve.

“Ky studim duhet të shërbejë si një sinjal alarmi për të gjithë institucionet që lidhen me shëndetin e fëmijëve, kryesisht ato arsimore dhe shëndetësore, për të hartuar politika, për të zbatuar programe, që të kenë në fokus jo thjesht promovimin e sjelljes së shëndetshme, apo jo thjesht luftën kundër sjelljeve të rrezikshme, por të marrin parasysh edhe konstekstin social ku zhvillohen të gjitha këto sjellje”, tha Gentiana Qirjako, shefe e Departamentit të Promocionit, ISHP.

Ky studim i bërë nga Instituti i Shëndetit Publik u mbështet nga UNICEF dhe UNFPA, me qëllim sigurimin e të dhënave të sakta për sjelljet e rrezikshme dhe të shëndetshme të grupmoshës 11-15 vjeç.

Top Channel