Ukrainë, separatistët rrëzuan avionin

20/10/2014 00:00

Shërbimi Informativ Gjerman fajëson separatistët pro-rusë për rrëzimin e avionit malajzian të pasagjereve MH-17, në Ukrainën lindore 4 muaj më parë.

Të dhënat e reja që ai ka mundur të sigurojë tregojnë se mjeti u godit nga një raketë e lëshuar prej mbështetësve të Moskës në rajonin e trazuar.

Siç bën të ditur revista “Der Spiegel” në numrin e saj të fundit, shefi i këtij shërbimi Gerhard Schindler e deklaroi një gjë të tillë përpara anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Kontrollit të Bundestagut.

Ai paraqiti dëshmi të ndryshme, midis të cilave dhe një regjistrim të pamjeve satelitore e plot fotografi. Sipas raportit, separatistët pro-rusë kishin rrëmbyer nga një bazë ukrainase një sistem antiajror të tipit BUK dhe prej tij kanë lëshuar në 17 korrik një raketë, e cila shpërtheu direkt pranë avionit MH17.

Në bordin e boingut 777 ndodheshin 298 vetë. Asnje prej tyre nuk i mbijetoi incidentit. Avioni i “Malaysia Airlines” ishte nisur nga Amsterdami me destinacion Kuala Lumpurin.

Menjëherë pas rënies së tij pati spekullime se goditja mund të kishte qenë veper e paraushtarakëve pro-rusë, por ata nuk pranuan të kenë pasur gisht në ngjarje e që prej atëherë dy palët në konflikt nuk kanë rreshtur së akuzuari njëra-tjetrën.

Pas vlerësimit të të dhënave të kutisë së zezë të avionit, në muajin shtator një komision i pavarur holandez doli në përfundimin se avioni qe përshkuar nga shumë “objekte” përpara se të copëtohej në ajër.

Por se kush e mbante përgjegjësinë për episodin tronditës, këtë holandezët nuk e thanë. Ndërsa Shërbimi Informativ Gjerman, sipas “Spiegel”, ka arritur në përfundime të qarta.

Informacionet e palës ruse, në bazë të të cilave raketën e lëshuan ushtarë ukrainas dhe se në afërsi të avionit të pasagjerëve pati fluturuar një avion gjuajtës bombardues ukrainas, sipas tij janë të gabuara dhe përgjegjësia për rrëzimin e avionit të pasagjerëve rëndon vetëm mbi mbështetësit e Moskës.

Top Channel