Ebola, Nigeria rezulton zyrtarisht “e parrezikuar”

20/10/2014 00:00

Nigeria rezulton tashmë zyrtarisht e shpëtuar nga Ebola, pas rreth 6 javësh mosraportimi për raste të reja infektimi.

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Rui Gama Vaz, duke folur nga kryeqyteti Abuja, tha se “kjo është një histori spektakolare suksesi”. Nigeria mori lavde për përgjigjen e saj të menjëhershme, pasi një diplomat liberian e futi këtë sëmundje brenda kufijve të vendit në muajin Korrik.

Nga përhapja e virusit kanë ndërruar jetë më shumë se 4500 njerëz në Afrikën Perëndimore, kryesisht në vende si Liberia, Guinea dhe Sierra Leone. Rreth 70% e të infektuarve në këto shtete tashmë kanë vdekur.

Ndërsa gjatë së premtes, OBSH deklaroi edhe Senegalin si një vend të shpëtuar nga rreziku i Ebolës.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të takohen në Luksemburg për të diskutuar se si të forcojnë kundërpërgjigjen e tyre ndaj kërcënimit që ekspozon Ebola. Vendet europiane janë angazhuar për më shumë se 500 mln euro, ndërsa Britania e Madhe ka kërkuar dyfishimin e kësaj shifre.

Paratë kanë për synim të ndihmojnë në përmirësimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor në Liberi, Sierra Leone dhe Guine, si dhe të zbusin dëmet që Ebola po u shkakton ekonomive të tyre.

Përpara bisedimeve, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, sugjeroi se BE duhet të dërgojë një mision civilësh në Afrikën Perëndimore, i cili do të shërbejë si një platformë për dërgimin e stafeve mjekësore.

Një tjetër diplomat tha se ekzistojnë plane, që 3 vende të dërgojnë ndihma në rajon; Britania në Sierra Leona, Franca në Guine dhe Shtetet e Bashkuara në Liberi.

Top Channel