Ukrainë, AI: Abuzime nga të dyja palët

20/10/2014 00:00

Grupi i të drejtave të njeriut “Amnesty International” ka bërë të ditur se ekzistojnë prova për krimet e kryera nga të dyja palët ndërluftuese në Lindje të Ukrainës, por jo të asaj shkalle të raportuar nga Rusia.

Ka “dëshmi të forta” që implikojnë forcave qeveritare ukrainase në vrasjet masive të 4 burrave në Nyzhnya Krynka, bëhet e ditur nga një raport i ri i “AI”. Kur trupat u zbuluan, media ruse foli për “varre masive” në atë zonë.

Bombardimet vazhdojnë ende në disa zona, pavarësisht armëpushimit të dakordësuar më 5 Shtator.

“Nuk ka asnjë dyshim, që vrasje masive dhe krime të tjera janë kryer nga të dyja palët; separatistët prorusë dhe forcat pro-Kievit; në Lindje të Ukrainës, por është e vështirë të sigurohet një vlerë e saktë mbi shkallën e këtyre abuzimeve”, tha drejtori i “Amnesty” për Europën dhe Azinë Qendrore, John Dalhuisen.

“Amnesty” nxiti të dyja palët të hetojë këto vrasje dhe abuzime të tjera të mundshme me imtësi, sepse disa janë “keqregjistruar qëllimisht”. “Disa prej rasteve më shokuese që janë raportuar, veçanërisht nga mediat ruse, kanë qenë tmerrësisht të ekzagjeruara”, tha Dalhuisen.

Rebelimi prorus nisi në Donjeck dhe Luhansk në muajin Prill, të frymëzuar nga aneksimi prej Rusisë i gadishullit ukrainas të Krimesë, gjatë Marsit. Separatistët në Lindjen e dominuar nga rusishtfolësit u irrituan pas rrëzimit të Presidentit të zgjedhur prorus Viktor Yanukovych.

“Amnesty” harton raportet e saj bazuar mbi kërkimet e zhvilluara gjerësisht në Lindje të Ukrainës gjatë muajve Gusht-Shtator.

Top Channel