“Marrëdhëniet ruso-amerikane nuk do të ngrohen shpejt”

20/10/2014 00:00

“Armiqësia” në marrëdhëniet amerikano-ruse, që ka dalë në pah veçanërisht me nisjen e krizës së Ukrainës, pritet të zgjasë për një kohë të gjatë.

Kështu është shprehur gjatë së hënës ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një “leksion” publik gjatë të cilit ai kritikoi politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, Lavrov tha se kishte shpresa që marrëdhëniet të nisnin përmirësimin, pas arritjes së asaj që ai e konsideron si pikën më të ulët.

“Ekziston gjithmonë tundimi për të gjetur një metaforë, apo një fjalë… për shembull njerëzit më pyesin mua në lidhje me një Luftë të Ftohtë të dytë, apo për një rikthim të Luftës së Ftohtë të dikurshme. Sigurisht që jo, kjo nuk është një Luftë e Ftohtë”, u shpreh Lavrov, i cili më pas shtoi se “kjo periudhë e re e marrëdhënieve tona do të jetë disi e gjatë”.

Moska dhe Uashingtoni kanë opinione të ndryshme në disa çështje, duke nisur që nga të drejtat e njeriut e deri te kontrolli i armëve, ashtu sikurse dhe për krizën në Ukrainë, për të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërkohë që Moska ka vendosur embargo të importeve ushqimore nga Perëndimi.

Shtetet e Bashkuara akuzojnë Rusinë se ka dërguar trupa dhe armë në Lindje të Ukrainës, për të ndihmuar separatistët prorusë të luftojnë forcat qeveritare, ndërsa Moska akuzon Uashingtonin për mbështetjen e një “grushti shteti”, pas të cilit Presidenti prorus i Ukrainës u largua nga pushteti. Të dyja palët mohojnë akuzat e ngritura ndaj tyre.

Top Channel