PD: Skandal i delegacionit të Mbrojtjes

20/10/2014 00:00

Duke iu referuar lajmeve të mediave italiane, opozita akuzoi sot kreret e
Ministrisë së Mbrojtjes për përfshirjen ne nje skandal gjate samitit te
euro-azise, qe u mbajt ne Milano. Sipas saj, delegacioni shqiptar ka
braktisur samitin dhe ka shkuar ne kazino. 

“Në Samitin e Euro-Azisë që po mbahet në Milano, delegacioni shqiptar i kryesuar nga Ministrja e Mbrotjes Mimi Kodheli, ka braktisur punimet për të shkuar në kazinotë e Sanremos. Gazeta ‘Corriere della Sera’ raportoi se “një grup i madh i delegacionit shqiptar, sapo ka mundur, ia ka mbathur për në Liguria. Jo për të parë detin, por për kazinonë e Sanremos”.

Partia Demokratike e denoncon ashpër këtë skandal të rëndë dhe e cilëson sjelljen e delegacionit shqiptar si të papërgjegjshëm. Mbathja nga punimet e këtij samiti të rëndësishëm për të shkuar në kazino, tregon arrogancën e Qeverisjes së vendit, që nuk ndalet para asnjë lloj etike dhe norme zyrtare. Ky skandal vjen pas zhdukjes një javë të kryeministrit Rama jashtë vendit, ku nuk bëri transparencë, ku nuk tregoi se ku shtoi dhe as kë takoi”, tha zëdhënësja e PD-së.

“Nuk ka pasur delegacion në Milano”
Kodheli: Nuk jemi pjesë e forumit, mediat dhe PD të përgënjeshtrojnë

Pas akuzave të PD-së ka reaguar edhe ministrja Kodheli, e cila tha se Shqipëria nuk është anëtare e këtij forumi dhe nuk ka pasur delegacion në Milano. Ajo thotë se ka qenë në Budva, në një tjetër aktivitet, ndërsa i kërkoi medias dhe Partisë Demokratike që të përgënjeshtrojnë lajmin.

“Ne jemi mësuar tashmë me një opozitë tërësisht të dëshpëruar, e cila kapet pas lajmeve dhe shpifjeve false, që për fat të keq ndonjëherë edhe ndonjë gazetë si ‘Corriere della Sera’ nxjerr. Për fat të keq, opozita jonë as nuk dëgjon dhe as nuk shikon sa herë që ka lajme të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Zyra ime, ndërkohë, është duke përgatitur padinë për lajmin e publikuar nga ‘Corriere della Sera’. Ju, jam shumë e bindur, se që të gjithë e dini që Shqipëria, për fat të keq, nuk është pjesë e atij samiti, i cili është mes BE-së dhe vendeve të Azisë. Shqipëria s’ka qenë pjesë dhe nuk ka pasur asnjë delegacion shqiptar pjesëmarrës atje”, është kundërpërgjigjur ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Top Channel