Rritet me 30 lekë çmimi i cigareve

20/10/2014 00:00

Tregtarët e cigareve kanë shfrytëzuar rritjen e lajmëruar të taksave për të nxjerrë përfitime shtesë në dëm të konsumatorëve.

Edhe pse akciza e re hyn në fuqi, pas disa muajsh, çmimi i cigareve në treg është rritur sakaq deri në 15 për qind ose 30 lekë për paketë. Përmes ministrit të Shëndetësisë, Qeveria nxitoi ta shpallte rritjen e akcizës me 20 lekë për paketë 4 muaj para se ajo të hynte në fuqi. Tani konsumatorët po i paguajnë barrën shtesë, por paratë nuk shkojnë në buxhetin e shtetit, por në xhepat e tregtarëve.  

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm për këto muaj shifra e abuzimit arrin në dhjetëra milionë dollarë.

Tregtarët thonë se shkaku i rritjes së çmimeve janë importuesit, të cilët sipas tyre kanë kufizuar furnizimet për tregun. Por këta të fundit e mohojnë këtë pretendim. Ato thonë se kanë vazhduar të furnizojnë tregun normalisht, por sipas tyre janë tregtarët ata që po përpiqen të përfitojnë duke kërkuar më shumë sasi, për t`i shitur me çmime të larta më vonë kur taksat e reja të hyjnë në fuqi. Përtej akuzave në zinxhirin tregtar, tregu i cigareve është problematik dhe në një pjesë të mirë jashtë kontrollit fiskal dhe në evazion.
Madje aktualisht në shumë pika shitje, tregtarët vazhdojnë, të mbajnë të afishuar listën e vjetër të çmimeve, ndërkohë që shesin me çmime të rritura.  

Kjo nuk është hera e parë kur në tregun e cigareve shfrytëzohet rritja e taksave për përfitime të padrejta. Edhe një vit më parë ndodhi e njëjta situatë, ku menjehërë sapo u lajmërua rritja e akcizës, importuesit mbushën rezervat për t`i shitur më vonë me çmime të larta. Këtë herë, Qeveria tentoi të shmang abuzimin duke kufizuar sasinë e importeve. Në Komisionin e Ekonomisë, me propozim të kryetarit Erjon Braçe u miratua një variant i ligjit, që nuk i lejonte importuesit të importojnë më shumë se 5 për qind nga viti i kaluar nga data e shpalljes së vendimit të qeverisë.
 
Por në Parlament po lobohet fort që ligji të mos kalojë në këtë formë. Masa, e cila ishte në plan për t`u votuar në seancën e shkuar u hoq nga rendi i ditës, pas përplasjeve mes Komisionit të Ekonomisë dhe disa anëtarëve të kabinetit. Votimi është shtyrë deri në një vendim të dytë, ndërkohë në treg konsumatorët po e paguajnë taksën e rritur prej disa javësh.

Top Channel