Roma, Garcia: Nuk e kemi humbur ndeshjen

20/10/2014 00:00

Trajneri i Romës, Rudi Garcia, ka bërë të ditur se ekipi italian do ta pranonte me kënaqësi rolin e një “jopretendenti të rrezikshëm”, por gjithsesi të etur për sukses, kur të presin Bayern Munchen në sfidën e së martës për Champions League.

Fitorja 5-1 e Romës në sfidën e parë ndaj CSKA-së së Moskës dhe barazimi 1-1 në transfertën ndaj kampionëve të Anglisë, Manchester City, theksojnë edhe më tej gatishmërinë e italianëve për të bërë më të mirën në eventin më madhor për klube në Europë, pas një mungese 3-vjeçare.

Gjithsesi, të besuarit e Garcias do të zbresin në një test tepër të rëndësishëm, përpara 5 herë kampionëve të Europës. Bayerni shënoi plot 6 gola ndaj Ëerder Bremenit në fundjavë, ndaj dhe Garcia pranon se shumica e sportdashësve do të presin dominimin e “një prej klubeve më të pasura në botë”.

Por francezi këmbëngul se statusi “jopretendent” i Romës nuk ka zvogëluar ambiciet e tyre për të ruajtur ecurinë pa u mposhtur në këtë kompeticion, me synimin për të siguruar një biletë për në fazën me eliminim direkt, atë të 16-sheve (1/8-ave).

“Nuk jemi pretendentë dhe e dimë këtë, – tha Garcia këtë të hënë për reporterët. – Kemi zhvilluar dy ndeshje të mira deri më tani, por duhet të vazhdojmë në të njëjtën rrugë të nisur. Objektivi ynë është të zbresim në fushë dhe të përmbysim parashikimet, të cilat na kanë eliminuar nga faza e grupeve që kur u hodh shorti”.

“Duam të kalojmë me sukses pengesën e parë të rëndësishme, edhe pse të martën, pas ndeshjes, ne do të jemi vetëm në gjysmën e rrugës së kësaj faze me grupe. Bayerni është një nga klubet më të pasura të botës, ata kanë lojtarë të mëdhenj dhe fitojnë thuajse gjithmonë, por ende nuk mund ta konsiderojnë të fituar ndeshjen ndaj nesh. Gjithçka mund të ndodhë, këtu qëndron bukuria e futbollit”.

Roma vjen pas fitores së pastër 3-0 ndaj Chievos, të shtunën, duke ngushtuar diferencën me Juventusin kryesues në vetëm 1 pikë larg, në Serie A.

Top Channel