Shtyrja e vizitës së Kryeministrit, Edi Rama në Serbi, për mediat serbe
duket si një lehtësim. Pavarësisht që nuk ka shumë komente, ato kujtojnë
zënkat në rrjetet sociale dhe incidentet, që kanë ndodhur gjatë kësaj
kohe për shkak të ndeshjes. Por, analistët mendojnë se fushata mediale e
krijuar fsheh dhe qëllime të tjera.

Nenad Gjurgjeviç, koordinator i Forumit për Marrëdhëniet Ndëretnike, thotë se kanë fituar forcat e kundërta.

“Shpresoj të mos jetë për kohë të gjatë, por në këtë moment kanë fituar forcat që kanë për qëllim që kjo vizitë të mos ndodhë. Është pozitive që është bërë një njoftim i përbashkët për shtyp dhe që dy kryeministrat kanë biseduar me telefon dhe që bashkërisht kanë vendosur vizitën për 10 nëntor”, thotë Gjurgjeviç.

Sipas tij, do të ketë më shumë kohë për vizitën, por nga ana tjetër nuk do të mungoj fushata e atyre që janë kundër afrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe afrimin me shqiptarët.

“Dua të besoj se Vuçiç dhe Rama do ta përgatisin mirë këtë vizitë dhe se do të tregojnë që nuk kanë frikë nga këto forca që janë kundër”, theksoi analisti.
 
Mediat serbe kanë zhvilluar një fushatë të ashpër lidhur më vizitën dhe incidentet duke kthyer në tërësi një gjuhë të urrejtjes. Por, ka zëra që mendojnë se kjo mund të jetë e kthyer kundër vetë Kryeministrit serb.

Top Channel