SHBA u paguante sigurimet nazistëve gjermanë

20/10/2014 00:00

Qeveria amerikane ka paguar disa dhjetëra nazistë të dyshuar si kriminelë lufte me miliona dollarë në formë sigurimesh shoqërore, pasi i detyroi ata të largoheshin nga Shtetet e Bashkuara.

Pagesat janë bërë në rrugë ligjore, thuhet në një shkrim investigativ të agjencisë së lajmeve “Associated Press”.

Sipas burimit, të dyshuarve u është thënë nga Departamenti amerikan i Drejtësisë se mund t’i mbanin përfitimet e tyre edhe nëse linin Shtetet e Bashkuara.

Mes këtyre personave ka pasur edhe nga ata që kanë qenë gardianë në kampet e përqendrimit dhe shkencëtarë raketash që përdorën të burgosurit si skllevër në punë të detyruar.

“Është jashtëzakonisht mizore që kriminelë nazistë lufte marrin ende përfitimet e sigurimit shoqëror kur janë dëbuar nga vendi ynë prej shumë, shumë, shumë vitesh”, deklaroi kongresmenia Carolyn Maloney.

Katër të dyshuar të Luftës së Dytë Botërore thuhet se janë ende gjallë dhe ende marrin benefitet. Njëri prej tyre është ish-anëtari i SS, Martin Hartman, ndërsa një tjetër gardian i kampit të Aushvicit, Jakob Denzinger.

Hartman thuhet se u transferua në Berlin nga Arizona në vitin 2007, ndërsa Denzinger la Ohajon për Gjermaninë në vitin 1989, ndërsa aktualisht jeton në Kroaci.

Sipas “AP”, kjo marrëveshje i lejon Zyrës së Hetimeve Speciale në Departamentin e Drejtësisë që të shmangë procese të gjata gjyqësore dhe të largojë më shumë nazistë nga Shtetet e Bashkuara.

FOTO GALERI
1/3
I dyshuari Jakob Denzinger merr ende sigurimet ne Kroaci

Top Channel