Inter, Moratti: Mazzarri? Jam një shembull i keq

20/10/2014 00:00

Vetëm një ditë pas barazimit me Napolin, ish-presidenti i Interit Massimo Moratti paralajmëron Mazzarrin.

“Skuadra luajti shumë më mirë krahasuar me ndeshjet e kaluara, duke treguar krenari dhe vendosmëri. Trajneri? Të shohim, të dielën vura re një reagim shumë të mirë, por futbolli është mizor dhe pragmatik, pasi gjithçka varet nga rezultatet dhe përmirësimet. Ndeshja e radhës do të ketë shumë rëndësi, nëse do të kishte një kthim pas do të përbënte problem. Nëse do ta kisha shkarkuar atë? Jam një shembull i keq për t’u ndjekur”, është shprehur Moratti për të interesuarit.

“Jam një shembull i keq, sepse kam larguar një trajner që kishte fituar kampionatin dy ditë më parë”, thekson sërish ish-presidenti zikaltër.

Sa i përket punës së Thohir, presidentit aktual, ai shprehet: “Është një tifoz i Interit dhe vuan si të gjithë tifozët. Një person serioz që ka punuar me shumë kujdes dhe çdo herë vlerëson eksperiencën e fituar. Nuk duhet fajësuar për asgjë, por duhet të kemi besim. Ndoshta do të duhet kohë për të siguruar rezultatet, por edhe tani kemi pasur disa pozitive”.

Ndërsa presidenti indonezian Erick Thohir ka thënë se “jemi në rrugën e duhur, por projekti ynë shtrihet në 2-3 vite. Objektivi kryesor është Champions League”. Në asamblenë e aksionerëve, ai ka vijuar: “Jam i bindur për qëndrueshmërinë e skuadrës, ndërsa zgjedhjet tona në fakt ndikohen prej rezultateve”.

Megjithatë, një “dush të ftohtë” ua ka rezervuar tifozëve. “Shpesh herë tifozët harrojnë gjërat e mira që bëjmë, por kujtojnë vetëm ato që kanë shkuar keq. Shumë media kanë thënë se kam nisur rolin tim më 15 Tetor, por në fakt ka ndodhur më 15 Nëntor. Në këto 11 muaj kemi punuar shumë dhe kemi ndryshuar shumë gjëra. Në Janar morëm lojtarë të rinj, më pas Hernanes dhe D’Ambrosio. Janë shpenzime të mëdha, por njerëzit kujtojnë vetëm largimet, sepse duhen respektuar bashkëpronësitë. Kemi një moshë mesatare tepër të re, 26,4 vjeç, por mbi të gjitha kemi detyrim të respektojmë edhe “Fair Play”-n financiar të UEFA-s”, deklaroi Thohir.

Top Channel