Ashton, kryenegociatore për bisedimet me Iranin

20/10/2014 00:00

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, ka bërë të ditur këtë të hënë se do të vazhdojë të udhëheqë negociatat bërthamore me Iranin deri sa të arrihet një marrëveshje, duke shtuar se është e vendosur të përmbushë afatin përfundimtar të Nëntorit për një akord mes palëve.

Mandati i saj 5-vjeçar si shefe e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian përfundon më 31 Tetor, por ajo shtoi se do të vazhdonte të ishte kryenegociatore deri më 24 Nëntor, datë kjo që është vendosur si afat përfundimtar për një marrëveshje afatgjatë mes vendeve të P5+1 dhe Iranit, mbi programin bërthamor të këtyre të fundit.

E pyetur nëse do të vazhdonte përtej kësaj date, nëse do të ishte e nevojshme, ajo u përgjigj për reporterët, gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg se “më është kërkuar të vazhdoj deri sa të arrihet marrëveshja”.

Ashton, një britanike, negocion me delegacionin iranian në emër të 6 shteteve më të fuqishme të përfshira në bisedime; Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania.

Gjithsesi, zyra e Ashtonit theksoi se nuk ka asnjë sugjerim mbi shtyrjen e negociatave përtej afatit. “Skadimi i tyre është më 24 Nëntor. Catherine Ashton është tepër e fokusuar në arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme brenda tij. Nuk kemi menduar ende për një shtyrje”, tha zëdhënësi i Ashtonit, Michael Mann.

Top Channel