Polaku shpëton grupin e ekstremistëve të djathtë në PE

20/10/2014 00:00

Ekstremistët e djathtë në Parlamentin Europian do të kenë grupin e tyre parlamentar. Ai që shpëtoi grupin prej 48 deputetësh të dalë nga zgjedhjet e fundit të PE-së është një polak.

Javën e kaluar Iveta Grigule njoftoi largimin nga grupi EFDD. Largimi i eurodeputetes letoneze solli automatikisht shpërbërjen e grupit të ekstremistëve të djathtë pasi nuk plotësohej kriteri i përbërjes nga deputetë të zgjedhur nga të paktën shtatë vende anëtare të Bashkimit Europian.

Vendimi ishte një lehtësim për të majtët dhe vetë shumicën e djathtë të moderuar të PE-së që nuk do të kishin përballë një grup kundërshtuesish të ashpër anti-BE. Por një javë më vonë gjithçka ndryshon dhe kjo falë deputetit polak Robert Iwaszkiewicz.

Në një deklaratë për gazetën polake “Rrzeczpospolita” Iwaszkiewicz thotë se ishte detyra e tij të shpëtonte grupin parlamentar të ekstremistëve.

Vendimi i tij nuk është i panatyrshëm po të shihen qendrimet e tij publike gjatë fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Europian. Ai u zgjodh eurodeputet si pjesë e partisë “E djathta e Re” e formuar në vitin 2011 dhe me një program të pastër antizgjerim dhe antiemigracion.

Më shumë se sa kjo Iwaszkiewicz mbahet mend për deklaratën e tij për dhunën në familje. “A i keni rrahur ndonjëherë fëmijët tuaj?”, ishte pyetja e një gazetari polak. “Për fat të keq nuk e kam bërë asnjëherë. Do t’i forconte karakterin, do t’i ndihmonte të përballeshin më mirë me krizat”, ishte përgjigjja e tij.

Gazetari këmbënguli më tej kur i tha: “po gruan tuaj?”. “Jam i sigurtë se një përgjigjje e tillë do të ndihmonte gratë të zbrisnin me këmbë në tokë në disa situata”, do të përgjigjej ai.

Top Channel