Peleshi: Në Beograd u rizgjuan fantazmat

20/10/2014 00:00

I pranishëm në Samitin e organizuar në Bukuresht nga ‘The Economist’ me tematikën “BE – Europa Juglindore: Në rrugën drejt stabilitetit dhe rritjes”, zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka komentuar atë që ndodhi në Beograd dhe shtyrjen e vizitës së kryeministrit Rama në Serbi.

Peleshi u shpreh se, “kjo ngjarje mes Shqipërisë dhe Serbisë, që pasoi një ndeshje futbolli, na tregoi të gjithëve sesa të brishta janë arritjet tona dhe sesa e lehtë është që të rizgjohen fantazmat e shëmtuara të së shkuarës”.

“Fakti që një ndeshje e thjeshtë futbolli mund të ketë ndikime të tilla në marrëdhëniet mes vendeve tona është padyshim zhgënjyes dhe bën që të bien këmbana alarmi për të gjithë ne”, tha ai.

“Por pikërisht kjo brishtësi është një arsye më tepër për të rivendosur dialogun, për të nxitur bashkëpunimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, shtoi numri dy i qeverisë.

Zoti Peleshi u ndal edhe tek problematikat që kanë karakterizuar bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit gjatë këtyre viteve, por theksoi edhe shpresën e tij se qeveritë e rajonit tanimë kanë filluar të mendojnë në terma të potencialit rajonal të projekteve të tyre të zhvillimit.

“Ballkani Perëndimor sot ka një mundësi për t’u transformuar në një rajon që prodhon bashkëpunim e konsumon zhvillim e rritje ekonomike. Nuk ka për të qenë e lehtë, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Por të gjithë në kemi një shans historik e mbi të gjitha një detyrim historik, që të bëjmë më të mirën për ta kthyer këtë mundësi në realitet”, mbylli fjalën e tij Peleshi.

Top Channel