Universitetet çelin auditorët

20/10/2014 00:00

Të gjitha universitetet publike dhe private pritet të kalojnë një për një, nën kriteret e rrepta të agjencisë ndërkombëtare të “Enka”-s, e cila deri në fund të vitit do të bëjë rankimin dhe akreditimin.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka përzgjedhur jo pa qëllim Universitetin e Mjekësisë, për të përcjellë jo vetëm mesazhin e urimit, por për të theksuar rëndësinë që përfaqësojnë studentët e Mjekësisë, në një sistem spitalor që ende vuan nga korrupsioni dhe mungesa e profesionalizmit.

“Të nderuar studentë, sot në ditën tuaj të parë, krahas urimit për suksese në gjithë formimin tuaj si mjekë, infermierë apo specialistë të ardhshëm të shëndetësisë, ju bëj thirrje të harroni, të lini jashtë, të denonconi çdo rast korrupsioni. Çdo rast që iu shformon në fakt, pse jo që në bankat e shkollës, ndaj këtij misioni fisnik e me shumë vlera, jo vetëm në Shqipëri po kudo në botë, që lidhet me atë të punonjësit të mjekësisë”, u shpreh ministrja Lindita Nikolla.

“Deviza kryesore është përgatitja e lartë juaja për t’u bërë mjekë, infermierë, stomatologë apo farmacistë, për t’iu shërbyer devotshmërisht vetes suaj, të afërmve dhe të gjithë komunitetit, duke zbatuar parimet e pavdekshme të Hipokratit”, tha Ali Refatllari, rektor i Universitetit të Mjekësisë.

Mbi 141 mijë studentë kanë rinisur studimet. Ministrja e Arsimit tha se projektligji i ri për arsimin e lartë do të kërkojë, që diploma e çdo studenti të jetë e merituar dhe në Mjekësi kualifikimet cilësore janë mjaft të prekshme.

Profesor Myftar Barbullushi, i cili është pjesë e rëndësishme e Komisionit të arsimit të lartë, tha se konkurrenca mes studentëve, por edhe detyrimi që kanë pedagogët që 30% të kohës mësimore t’ia kushtojnë kërkimit shkencor, do të sjellë një tjetër performancë të studentëve.

“Ju meritoni një ligj të ri. Po ju them se ju do të hyni me ligj të ri dhe do të dilni nga universiteti me universitet të ri, në themel të të cilit është konkurrenca. Madje edhe shoku i bankës do të jetë konkurrent i fuqishëm i juaji. Në themel ka vetëfinancimin, pasi e tërë struktura do të vetëfinancohet dhe vetëm pas pak kohësh do të vijmë duke e larguar fare shtetin. Për këtë unë i them falemnderit shtetit, që na dha liri të plotë, që ne të largohemi në drejtim të vetëfinancimit. 10% e aktivitetit të jetë shkenca”, deklaroi profesor Myftar Barbullushi.

Në fund të këtij viti, pas kryerjes së akreditimit, pritet që të ketë penalizime të mëtejshme për universitetet private dhe publike, që nuk plotësojnë kriteret e cilësisë.

Top Channel