Mes debateve të shumta është zhvilluar mbledhja e radhës e Komisionit të Ligjeve, ku në rend të ditës ishte diskutimi i ndryshimeve në Kodin Rrugor, që parashikon ashpërsimin e masave për drejtuesit e mjeteve dhe kryesisht rastet e kalimit me semafor të kuq, e cila parashikon gjobë deri në 50 mijë lekë dhe heqje të lejes së qarkullimit deri në 1 vit nëse përsëritet shkelja.

“Masat janë shumë të ashpra. Kam një propozim më racional shqiptar. A përafrohemi me legjislacionin e BE-së? Atëherë ta bëjmë si BE-ja. Nëse gaboj më ul pikët e patentës. Nuk mund të ma marrësh patentën mua për 9 apo 6 muaj pse kaloj me të kuq, ndërkohë që unë kam një familje për të mbajtur”, deklaroi deputeti Bashkim Fino.

“Ky është një stonim shumë i madh. Nuk mundet që pse në Itali gjoba na qenka 160 euro në Shqipëri të jetë 400-500 mijë lekë”, tha deputeti tjetër Xhemal Qefalia.

Ndërsa më i ashpër ka qenë deputeti Pandeli Majko, i cili ka theksuar se rritja e gjobave do ndikojë në rritjen e korrupsionit.

“Gjithmonë kemi folur për gjobat dhe qëndrimi im ka qenë që gjobat e mëdha shkaktojnë korrupsion, jo rregull. Ju e dini shumë mirë që shpesh, ata që quhen policë trafiku në këto kushte kthehen në vendosës gjobash klasikë”, tha Majko.

Por veç këtyre kritikave, ndryshimet e paraqitura janë kritikuar edhe në aspektin e hartimit të tyre. “Është vërtetë e palogjikshme. Ky është një nen gati 6 faqe, ky është skandal në teknikën legjislative”, tha kryetari i komisionit Fatmir Xhafa.

Në këto kushte, Komisioni i Ligjeve vendosi kthimin e ligjit për rishqyrtim në qeveri.

Top Channel