Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takim kryetarin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit italian, Pier Ferdinando Casini, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet e fundit politike në vend.

Sipas një njoftimi për shtyp, Basha ndau me presidentin Casini shqetësimin për shkeljen e Kushtetutës nga mazhoranca, injorimin e vendimeve të gjykatave prej saj dhe dhunën fizike e verbale ndaj deputetëve të opozitës.

“Të gjitha këto, të orkestruara dhe drejtuara nga kryeministri Rama, kanë reduktuar në zero çdo hapësirë demokratike për opozitën, duke e detyruar atë të ndërpresë marrëdhënien me Kuvendin”, deklaroi Basha gjatë takimit.

Po ashtu, kreu i opozites i shprehu zotit Casini faktin se Partia Demokratike kërkon që shumica të reflektojë dhe të marrë përsipër, duke dhënë garanci të plota politike të matshme edhe nga faktori ndërkombëtar, se nuk do të përsëriten më në të ardhmen shkeljet e ligjit themelor të shtetit shqiptar dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjithashtu, mazhoranca duhet të angazhohet për të nisur një bashkëpunim shumicë-opozitë, për të çmontuar mekanizmin që promovon krimin në Parlament dhe strukturat shtetërore”, u shpreh më tej Basha.

Top Channel