Mesjeta e Zavalinës…

20/10/2014 00:00

Rruga kalon rreth 30 kilometra nga qyteti i Elbasanit përmes Gjinarit, zonë turistike por që pak mbështetje ka marrë deri më sot, e më pas vijon majave pa një orientim të qartë në krahinën e shpatit të sipërm.

“Kur problemet e shumta ndërthurren me mungesën e investimeve, atëherë jeta për komunitetet bëhet një e tatëpjetë vështirë e ngjitshme. Kështu edhe në Zavalinë të Elbasanit, ku rruga është fillesa, e më pas gjithçka tjetër pason si një zinxhir mbytës për banorët. Shumica duan të largohen, ndërsa pjesa tjetër përpiqet të mos humbë nën vorbullën e halleve”.

Zavalina, me rreth 600 banorët e saj, shtrihet në një luginë, që shpesh mbulohet nga mjegulla e dendur, thua se kërkon t’u fshihet problemeve të pafundme. Hera-herës humbet, por më pas del sërish aty e palëvizur, me banorët që shkojnë e vijnë ngadaltë rrugicave të përhimta.

Në shtëpitë e banorëve do të prekësh dy realitete; njëri është ai i mikpritjes së rrallë dhe tjetri i një varfërie, që thuajse në mënyrë të pabesë i mban ngërthyer pas mureve të gurta.

Pensioni prej 9 mijë lekësh i babait të shtëpisë është i vetmi burim të ardhurash për familjen Skënderi, që me tre anëtarët e saj duket sikur duhet të kursejë edhe frymëmarrjet.

“Për të dalë s’na dalin asnjëherë, po kështu si gjarpëri nën gur, shtyjmë kot më kot sa rrojmë gjallë”, thotë kryefamiljari.

Pas këtyre mureve duket shpesh sikur edhe skamja do ta kish të vështirë të mbijetonte.

“9 mijë lekët e pensionit i shpenzoj me miell, ushqime, gjëra kështu të vogla. Për çfarë do shtëpia. Shtëpia ka halle shumë, ka probleme dhe në fund fare nuk del, po me zor shtyjmë. Se nuk është ndonjë lek i madh 9 mijë lekë, si dalin njërit, pale mua dhe tjetrit”.

Zavalina s’ka toka, sepse është zonë malore. Shumica e banorëve kanë veç 1 dynym, e aspak më shumë, të pamjaftueshme për ta quajtur bujqësinë një burim të ardhurash. Ndaj dhe, më së shumti, ekonomitë e vogla familjare janë të mbështetura te blegtoria, nga e cila nxjerrin ato grimca të nevojshme për të shtyrë përpara.

“Po është vetë zona, që ka qenë gjithmonë e varfër. Ndihma nga ana e shtetit ka qenë shumë e paktë, për të mos thënë hiç fare, që na kanë lënë në harresë. Pak fare”.

Banorët e Zavalinës kanë megjithatë një krenari të rrallë; janë punëtorë, të qetë e të hapur, e mbi të gjitha e duan arsimin, çka dallohet kudo shtëpive. Pranojnë të rreshtojnë borxh pas borxhi për të mos lënë fëmijët pa shkollë, e për t’i çuar deri në universitet e më tej. Një vlerë e rrallë, që banorët e ruajnë si traditë të fortë e të mbartur me breza.

“Unë do i marr paratë borxh, do i marr për një stilolaps, për një laps t’ua blej fëmijëve. Për shembull, unë i mora borxh kur mora librat tani dhe i bleva librat fëmijëve, se jam i detyruar, se shkollën e do, se jeta është shkolla. Do e marr te ti, fjala vjen, do ia çoj tjetrit”.

Fshati, në shumicë dërrmuese ortodoks, ka një bashkëjetesë të shkëlqyer me muslimanët. Nuk ka pasur dhe nuk ka ndarje. Përkundrazi, këtu gjithçka është e njëjtë për të gjithë, çdo pamundësi, çdo fjalë, çdo shikim që shtrihet tej pas izolimit të maleve, kaq afër dhe kaq larg Elbasanit.

“Merr borxh andej, jep këtej. Merri atij, jepja këtij. Me borxh jemi të gjithë”.

Dikush çapitet me ndihmë ekonomike, dikujt kempin ia japin dhe s’ia japin. Edhe të ngresh zërin duket sikur ai s’arrin kurrë aty ku duhet.

“Si jetojmë, me bukë misri jetojmë. Me bukë misri, troç, si në kohët e para”.

Nuk ndryshon shumë nga shtëpia në shtëpi, problemet janë kudo të njëjta.

Sikur të mos mjaftonin të tjerat, te Ligori duhet jetuar edhe me frikën e rrëshqitjeve të tokës, që e kanë përthyer më dysh shtëpinë. Dhoma të çara, dyer të anuara majtas a djathtas, dysheme të zhytyra frikshëm e mes tyre familja, që duhet të jetojë me frikën se një natë mund të flerë për të mos u zgjuar më.

“Po uneë fle gjumë me derë hapur, siç duken dyert, ti tani e shikon edhe shtëpinë. Me dyer hapur, se nuk mbyllet dera. Frikë kam, por çfarë të bëj, ku të vete? S’kam ku të shkoj”.

Është dita e tregut dhe banorët përpiqen të lëvizin diçka, të punojnë e të sigurojnë të ardhurat për një tjetër ditë, për një tjetër javë, për një tjetër muaj të vështirë. Janë të gatshëm të ndajnë gjithçka me mikun, edhe një copëz bukë, sepse pasuria e tyre më e madhe është fisnikëria, e atë s’mund ta ketë çdokush. Nëse i pyet për investime, kthejnë kokën mënjanë. Ato nuk kanë sosur kurrë këtyre anëve. Ndonjë premtim mundet, por edhe ato kanë fluturuar çdo herë me kohën.

Të braktisësh një zonë në këtë mënyrë është e pafalshme, e për më tepër një zonë ku banorët nuk kërkojnë dhurata, por thjesht mbështetjen e domosdoshme me investimet e domosdoshme që i takon një shteti. Vetëm kaq, asgjë tjetër. Zavalina nuk kërkon lëmoshë, por mundësi për të qenë si gjithë të tjerët.

Top Channel