Tirana letër “Corriere della Sera”

20/10/2014 00:00

Diplomacia shqiptare ka reaguar pas një shkrimi skandaloz, madje edhe shpifës, botuar në të përditshmen “Corriere della Sera”, me titull “Limuzinë dhe proshutë – 48 orët e fshehta të liderëve”, me nëntitull “…pas kuintave të boshtit milanez”, ku përshkruhen veprimtaritë private të anëtarëve tw pretenduar shqiptarë, gjoja si pjesëmarrës në takimin Evropë-Azi, përtej angazhimeve institucionale.

Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano, Luljeta Çobanaj, i ka nisur një letër drejtorit të “Corriere della Sera”, ku sqaron se:

“Ju bëj me dije, se Republika e Shqipërisë nuk ishte e pranishme në takimin Evropë-Azi. Pra nuk ka dërguar aty asnjë pjesëmarrës, as në nivel vëzhguesi, dhe nuk kishte në takim asnjë drejtues qeveritar shqiptar”.

Zonja Çobanaj thekson në letrën e saj se “lajmi i shpërndarë është i pavërtetë dhe i pabazë”, pasi në të vërtetë Republika e Shqipërisë nuk është ndër vendet anëtare të këtij boshti, dhe as nuk ka qenë zyrtarisht e ftuar.

Për sa më sipër dhe për pavërtetësinë e lajmit, zonja Çobanaj këkon:

“Me respekt dhe mirësjellje, por me vendosmërinë e detyrës që mbuloj, ju bëj ftesë zyrtare për një korrigjim të menjëhershëm të tekstit të artikullit të sipërtreguar, të shoqëruar nga një deklaratë të gjerë dhe shpjeguese, në të cilën të sqarohet dhe saktësohet, që asnjë delegacion shqiptar nuk ka qenë i pranishëm në takimin Evropë-Azi dhe se – mbi të gjitha – asnjë drejtues apo përfaqësues i Qeverisë shqiptare nuk ka nxituar të shkojë në kazinonë e Sanremos”.

Top Channel