Boutaris: Serbi-Shqipëri të luhet në Selanik

20/10/2014 00:00

Kryebashkiaku i Selanikut, Janis Boutaris ka propozuar që ndeshja Serbi-Shqipëri të zhvillohet në Selanik. Propozimi i tij është bërë në mbledhjen e Shoqatës Rajonale të Bashkive të Maqedonisë Qendrore, që u mbajt pasditen e së hënës.

72-vjeçari, i njohur për idetë përparimtare dhe simpatinë për të huajt, ka hedhur këtë propozim duke theksuar se ndeshja e ndërprerë për shkak të incidenteve në Beograd do të luhet në një fushë asnjanëse dhe kjo fushë mund të jetë në qytetin e Selanikut.

I pyetur nga gazetarët pas mbledhjes, ai ka thënë se i ka propozuar guvernatorit të Maqedonisë Qendrore këtë opsion për të treguar edhe se Selaniku është një qytet pajtimi dhe miqësie.

Duke komentuar incidentet e ndodhura në ndeshjen e Beogradit, ai ka dënuar shfaqjen e flamurit me hartën e Shqipërisë së Madhe, duke nënvizuar se akte të tilla shkaktojnë probleme në Greqi, siç shkakton edhe çështja çame.

Propozimi i Boutaris ka ngjallur reagime në shtypin vendas, që nga njëra anë ka shigjetuar përsëri zotin Boutaris për simpatitë ndaj të huajve dhe nga ana tjetër, duke iu referuar dhunës në stadiumet greke, ka theksuar se Greqia dhe konkretisht Selaniku nuk është aspak një vend ku mund të zhvillohen ndeshje të tilla.

Vlen të përmendim se të shtunën e kaluar në këtë qytet u ndërpre për shkak të incidenteve në stadium ndeshja e basketbollit midis dy ekipeve lokale Aris-Paok, ndërsa një muaj më parë një person në Kretë humbi jetën në përleshjet mes tifozëve gjatë një derbi të kategorisë së tretë të futbollit.

Top Channel