Milo: Ende ka barut të thatë në Serbi

21/10/2014 00:00

I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo tha se ajo që ndodhi në Beograd, tregoi se në Serbi ka ende barut të thatë.

Milo tha se Ballkani nuk është ai që duhet të jetë. Ndaj dhe shtyrja e vizitës së Kryeministrit Rama në 10 nëntor pas atij incidenti, sipas Milos, vështirë që të sjellë produkt në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, të cilat nuk i lë e shkuara. Por vizita, sipas tij, duhet bërë për të thyer akullin.

Pandi Gjata: Ditë dinamike me ngjarje të shumta që pasuan nga e marta e ndeshjes e deri sot. Është shtyrë vizita e Kryeministrit Rama e programuar për në datën 22 tetor, tashmë është lënë data 10 nëntor për t’u realizuar kjo vizitë. Pati një gjuhë të ashpër, në mënyrë të veçantë nga zyrtarët në Beograd pas incidenteve në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Kemi një investim të Kancelares Merkel për të patur një vizitë të zotit Rama në Beograd, por duket se pati një dorëzim të zotit Vuçiç te nacionalizmi. Si i keni parë të gjitha këto zhvillime?  

Paskal Milo: Me keqardhjen më të madhe pashë të gjithë zhvillimin e ngjarjeve duke filluar nga ndeshja që ndoqëm të gjithë, e cila dëshmoi që Ballkani nuk është ai që ne duam të jetë ose atë që optimistët duan dhe e paraqesin ashtu siç duhet. U dëshmua që në Ballkan dhe për më tepër në Serbi ka akoma barut të thatë, ka akoma forca të cilat nuk mund të jetojnë përveç konfliktit, përmes nacionalizmit dhe përmes politikës folklorike që ende ka pasues në Ballkan dhe veçanërisht në Serbi. Është për të ardhur keq që në vitin e parë pas festimit të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore përsëri nga Serbia erdhën tone shumë të forta nacionaliste që në Europën e sotme, në Europën e bashkuar ku duam të shkojmë për fat të keq ka vende të cilat duket që presin për një kohë të gjatë që të qytetërohet ambienti, që të civilizohet politika dhe që të meritojnë të shkojnë në Europë. Shqiptarët në këtë rast dëshmuan pjekuri politike. Për këtë ngjarje për të cilën nuk kanë absolutisht asnjë lloj përgjegjësie ata e trajtuan me shumë pjekuri, në mënyrë të veçantë qeveria.

Pandi Gjata: Vuçiç është parë si shpresë e një politike të re në Beograd, por a u dorëzua ai ndaj ekstremizmit kur kërkoi të shtyhet vizita e zotit Rama?

Paskal Milo: Nuk mjafton që të jesh politikan i ri që të investohesh për politik të re. Mund të jesh i ri, por je bartës i koncepteve të vjetra nacionaliste dhe agresive. Kam përshtypjen që në Beograd edhe këta që quhen politikanë të rinj janë pjellë e fabrikës së vjetër të Miloshevicit dhe nacionalizmit serb ose e pakta që mund të them është që nuk janë të vendosur për t’u shkëputur nga e kaluara problematike e Serbisë dhe e nacionalizmit serb. Kjo është dëshmuar sepse politikanë me vizion europian, siç duan ta paraqesin veten, duhet mbi të gjitha që të kishin qartësi, pjekuri dhe vizion për ta nxjerrë Serbinë nga nacionalizmi i vjetër. Ata jo vetëm nuk kanë bërë një gjë të tillë, por përkundrazi, me retorikën e tyre super nacionaliste ndikuan për keq dhe e bënë situatën më të rëndë se ç’mund të ishte.

Pandi Gjata: A mund të ketë një normalizim të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Beogradit?

Paskal Milo: Duhet të jemi realistë dhe jo optimistë tej mase. Një vizitë e Kryeministrit shqiptar në 10 nëntor, për nga mënyra sesi rrodhën ngjarjet, nuk do të jetë një vizitë historike, jo në kuptimin se bëhet pas 68 vitesh, por në kuptimin e produktit që do të sillte. Ajo duhet bërë për të thyer akullin, ajo duhet bërë me qëllim që të vendosen normalisht urat e komunikimit midis dy vendeve dhe dy qeverive në funksion jo vetëm të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në funksion të paqes dhe të stabilitetit në rajon, por edhe të pikësynimeve tona të përbashkëta për anëtarësimin në BE. Për të gjitha këta arsye Shqipëria dhe Serbia duhet t’i përmirësojnë marrëdhëniet, por ato do të kenë edhe në të ardhmen mjaft pengesa të cilat duhet të administrohen me realizëm me vullnet politik, jo me emocione, por as edhe me eufori. Me pak fjalë do t’ju them se marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë ende larg për t’u bërë marrëdhënie solide, marrëdhënie të mira sepse te këto marrëdhënie rëndon hipoteka e vjetër e historisë së tyre.

Pandi Gjata: Gjatë ditëve të fundit është komentuar shumë edhe roli i Rusisë në Ballkan për të patur një dominim në këtë rajon. Në anën tjetër kemi një insistim të zonjës Merkel për takimin e dy kryeministrave. Si e shikoni pozicionimin e Serbisë?

Paskal Milo: Kjo është një çështje e vjetër, jo vetëm e politikës europiane, por edhe e politikës ruse në Ballkan. Serbia ka qenë gjithmonë epiqendra e influencës ruse në Ballkan dhe vazhdon të jetë e tillë. Rusia përmes Serbisë kërkon të qëndrojë e fortë në Ballkan dhe kërkon që përmes saj të shtrihet mundësisht në të gjithë rajonin. Nga ana tjetër BE-ja kërkon të mos e lë jashtë proceseve integruese. Ajo tashmë është pjesë e tyre, ka marrë statusin e vendit kandidat, por nga pikëpamja gjeostrategjike BE-ja është e interesuar ta mbajë afër me qëllim. Merkel dëshiron të japë kontributin e saj duke e afruar me BE-në, Konferenca e Berlinit në fund të gushtit këtë qëllim kishte.

Pandi Gjata: A patëm xhelozi te Konferenca e Berlinit kur Kryeministri Rama ishte i përzgjedhuri i zonjës Merkel?

Paskal Milo: Mendoj që zonja Merkel bëri një zgjedhje normale. Shqipëria ka kryesinë e procesit të bashkëpunimit në Europën Juglindore, e kryeson gjatë vitit 2014. Për këtë arsye i takonte Shqipërisë të përfaqësonte të gjitha vendet e tjera. Nëse vitin tjetër do të ketë një konferencë jam i sigurtm që ata që do të kryesojnë procesin e bashkëpunimit të Europës Juglindore ata do të dalin në konferencë shtypi në emër të vendeve të tjera.

Pandi Gjata: Besoni se politika do të ndikojë edhe tek UEFA?

Paskal Milo: Me sa kuptoj unë, politika ka ndërhyrë në punët e UEFA-s dhe fakti që presidenti i saj dha një deklaratë emocionale menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, dëshmon që ai nuk ka qenë i imunizuar nga ndërhyrjet e politikës. Jo vetëm kaq, por gjatë gjithë ditëve të fundit qeveria serbe është duke lobuar fort edhe përmes agjencive të ndryshme që ajo ka në vende të ndryshme me qëllim që të ndërtojë alibinë për përgjegjësinë e saj për atë që ndodhi në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit.

Pandi Gjata: Edhe sa do të vuajmë ne ballkanasit nga këto konflikte? A po e trembim edhe Europën aty ku po shkojmë?

Paskal Milo: Për fat të keq kjo do të zgjasë. Ne si ballkanas kemi shumë reminishenca, të cilat nuk arrimë dot t’i kapërcejmë. Fakti që një ngjarje e tillë, që përgjithësisht duhet të prodhojë miqësi, solidaritet, mirëkuptim, kjo ndeshje na risolli të kaluarën e hidhur shqiptaro-serbe. Parulla kundër shqiptarëve në muret e ndërtesave të Beogradit, ku në mënyrë shumë pezhorative shqiptarët cilësohen me një emër përbuzës, nuk janë vetëm në muret e Beogradit, por janë edhe në mendjen e shumë serbëve dhe mbi të gjitha janë edhe në mendjen e politikanëve serbë. Për fat të keq, me sjelljen e tyre politikanë serbë nuk bëjnë që këto tensione të së shkuarës të harrohen, por i riciklojnë në momente të caktuara, qoftë edhe për shkak të faktit që ndodhën përpara zgjedhjeve të vitit 2015.

Pandi Gjata: Nuk ka më si i ndjeri Gjingjic apo edhe si i moderuari Tadiç që është mënjanuar.

Paskal Milo: Për fat të keq nuk shohim deri tani figura politike që të mund të na japin shpresë se do  të shkëputen plotësisht nga e kaluara, prej së cilës ata kanë ardhur dhe për të ndërtuar një profil politik dhe politikanësh europianë në Serbi.
 

 

Top Channel