Ebola, ndihma vendeve më të prekura

21/10/2014 00:00

Furnizime me ushqime por edhe me ndihma të tjera jetike për të frenuar virusin Ebola kanë filluar të mbërrijnë në tre vendet më të prekura në Afrikën Perëndimore.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Ganës, John Mahama, sipas të cilit qendra trajtimi mjekësor po ngrihen në Guine, Liberi dhe Sierra Leone. Por presidenti bëri thirrje për një koordinim më të mirë mes agjencive ndërkombëtare.

Virusi i Ebolës ka vrarë mbi 4.500 persona, shumica e të cilëve në tre vendet e sipërpërmendura. Rreth 70 për qind e personave të infektuar kanë vdekur.

Ndërkohë, Nigeria u deklarua e paprekur nga Ebola pas gjashtë javësh me asnjë rast të ri, deklaroi të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë. Po ashtu, i paprekur u shpall javën e kaluar edhe Senegali.

Presidenti Mahama tha më tej për BBC se Programi Botëror për Shëndetësinë mundësoi dërgimin e ndihmave humanitare në Liberi, Sierra Leone dhe Guine.

“Automjete, motoçikleta dhe mjete të tjera transporti po transportohen për atje. Gjithashtu, po sigurohen edhe veshje mbrojtëse”, deklaroi Mahama.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan në Luksemburg për të diskutuar se si të përforcojnë përgjigjen e tyre ndaj Ebolës.

Duke folur në vija të përgjithshme, ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius deklaroi se priste që takimi të caktonte një koordinator për të menaxhuar përgjigjen e Unionit ndaj virusit.

“Unë dhe kolegët e mi jemi unanimë sa i takon caktimit të një koordinatori evropian për të luftuar kundër Ebolës”, deklaroi Fabius.

Top Channel