Vdes shefi i gjigandit francez të naftës

21/10/2014 00:00

Drejtori ekzekutiv i kompanisë franceze të naftës “Total”, Christophe de Margerie, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti ajror në Moskë.

Avioni i tij privat u përplas me një borëpastruese dhe u përfshi menjëherë nga flakët. Të katër personat që ndodheshin në bord mbetën të vdekur.

Sipas hetuesve rusë të mbërritur në vendin e ngjarjes, drejtuesi i borëpastruese ka qenë i dehur në momentin e përplasjes.

De Margerie, 63 vjeç, ishte drejtor ekzekutiv i kompanisë së tretë më të madhe evropiane të naftës që prej vitit 2007.

Ai u bashkua me grupin pasi u diplomua në Shkollën e Lartë të Tregtisë në Paris në vitin 1974 dhe ishte shumë i respektuar në industrinë e naftës.

“Franca ka humbur një biznesmen të jashtëzakonshëm, që e ktheu kompaninë “Total” në një gjigand botëror”, tha kryeministri francez Manuel Valls në një deklaratë.

Në kompaninë e naftës, ku ai kishte kaluar të gjithë karierën, De Margerie njihej ndryshe me nofkën “Mustaqemadhi”.

Mendohet se ai ndodhej në Moskë pasi kishte marrë pjesë në një takim me investitorët e huaj, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri rus.

“Total” është një lojtar i rëndësishëm në tregun energjitik rus dhe De Margerie luante një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e lidhjeve, pavarësisht sanksioneve të Perëndimit ndaj Moskës për shkak të krizës në Ukrainë.

Gjithashtu, kompania “Total” është një nga investitorët më të mëdhenj në Rusi dhe planifikon të dyfishojë prodhimin e saj në këtë vend brenda vitit 2020.

Top Channel