Rama: Rajoni në BE, duke bashkëpunuar

21/10/2014 00:00

Në kuadrin e “Tetorit Gjerman 2014”, 21 Tetori është zgjedhur si Dita e Bashkëpunimit shqiptaro-gjerman për Zhvillim.

Ambasada gjermane, në bashkëpunim me GIZ dhe KFË, zhvilluan një aktivitet me temë “Së bashku drejt BE-së”.

Gjatë fjalës së hapjes, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, z. Helmut Hofmann, theksoi se 26 vite më parë nisi ky bashkëpunim, tashmë i konsoliduar dhe frytdhënës për miliona shqiptarë.

Këtë aktivitet, ambasadori e ilustroi me një shprehje gjermane, që thotë “Bëj gjëra të mira dhe diskuto për to”. Ndërsa kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me një batutë, që lidhej me zhvillimet e post-ndeshjes Serbi-Shqipëri.

“Unë do të doja të thoja disa fjalë shumë të sinqerta për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke përgëzuar në radhë të parë autorin e logos, që më duket shumë i frymëzuar nga ndeshja Serbi-Shqipëri. Edhe pse mungon droni është e qartë valëvitja e dy flamujve të lidhur me njëri-tjetrin. Nëse duam të afrohemi më shpejt me Europën, duhet të funksionojmë si një skuadër dhe, jo vetëm që nuk duhet t’i vëmë stërkëmbësha njëri-tjetrit, por as nuk duhet ta imagjinojmë se mund të jetojmë dhe mund të shkojmë larg me njëri-tjetrin duke bërë autogola, duke pretenduar që janë gola ndaj tjetrit”, tha kryeministri Rama.

Angazhimi rajonal i Gjermanisë, tha kryeministri Rama, e posaçërisht i Kancelares Merkel, na vendos përpara përgjegjësive të dyfishta në këtë partneritet.

“Bashkëpunimi, mëse çerekshekulli tanimë, shqiptaro-gjerman, qysh prej vitit 1988 për të qenë të saktë, ka sjellë në Shqipëri mbi 1 miliard euro investime me natyrë strategjike, në funksion të çuarjes përpara të përmirësimit të sistemeve prioritare. Janë kontribute drejtpërdrejt përmes këtij bashkëpunimi nga Gjermania dhe kanë ndikuar jo pak në ecurinë pozitive për aq sa ka pasur një të tillë në secilin prej këtyre sektorëve”, shtoi kryeministri Rama.

Për projektet aktuale mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, Rama vlerësoi tejet pozitivisht ndihmën në arsimin profesional, të cilësuar prej kreut të Qeverisë si një alternativë imediate për të ardhmen e vendit.

Top Channel