Knut: Partitë të kenë debat konstruktiv. Çfarë pret ende opozita?

21/10/2014 00:00

Knut Fleckeinstein, raportuesi i ri për vendin në Parlamentin Europian,
shpjegon për Top Channel se ka zgjedhur  Shqipërinë, sepse vendi ka bërë
goxha hapa vitet e fundit drejt BE-së dhe se do të jetë pjesë në këtë
rrugën drejt Europës.

Por, Fleckeinstein vlerëson se ka ende shumë punë për t’u bërë në luftën ndaj krimit e korrupsionit, në reformën e administratës e gjyqësorit, si dhe për të drejtat e njeriut, siç parashikon raporti i progresit të Komisionit Europian mbi 5 përparësitë kyçe. Shqetësimi i tij kryesor është bojkoti i opozitës dhe dialogu politik, pasi kjo vë në rrezik çeljen e bisedimeve të anëtarësimit, sipas eurodeputetit gjerman.

Knut Fleckeinstein: Sigurisht, nëse partitë nuk arrijnë dot të pajtohen për të punuar së bashku. Nuk është e thënë që të arrijnë marrveshje për gjithçka, por të paktën të kenë një diskutim konstruktiv për të ardhmen, përfshirë dhe mbi debatin për sistemin gjyqësor. Nëse kjo nuk arrihet, nuk ka negociata. Kjo është e sigurtë. Unë nuk e di se çfarë pret ende opozita. Ata dy kolegët që qëlluan u pezulluan nga parlamenti. Prokuroria po bën punën e saj. Në të tilla situata, kështu do ishte vepruar edhe në Itali apo Gjermani. Të dy palët nuk duhet të vonohen për të bërë të mundur punën normale të Kuvendit. Kjo do të thotë, para së gjithash, se opozita duhet të kthehet e të bëjë punën në Parlament.

Top Channel: Po nga ana e Qeverisë nuk prisni gjë ?

Knut Fleckeinstein: Jo, pres që për këta dy kolegët që qëlluan, prokuroria të bëjë punën e saj, sepse merret e mirëqënë edhe pa u thënë se kjo nuk shkon. Nuk shkon, absolutisht. Pavarësisht, nëse ndodh në Maqedoni, Itali, apo Shqipëri. Shpresoj se prokurori do bëjë punën e tij dhe ne do e shohim me vëmendje se cili do të jetë rezultati. Por, atyre nuk besoi se u kërkoi qeveria që të godasin kolegët e tyre.

Top Channel
: Kur do të shkoni në Shqipëri dhe kur do të përpiloni raportin e parë për vendin?

Knut Fleckeinstein: Nuk është vendosur ende, por ka shumë mundësi të vi në fillim të janarit dhe në fund të janarit do të kem draftin e parë e të raportit që mendoj se Parlamenti Europian do ta votojë gjatë periudhës Mars-Prill.

Vizita e parë e Fleckeinstein në Shqipëri daton në vitin 1999, kur angazhohej me një shoqatë gjermane në ndihmë të refugjatëve kosovarë. Në 15 vitet e fundit, ai ka ardhur disa herë në Tiranë, kryesisht për çështjet sociale, por edhe politike kur ai u zgjodh eurodeputet, për herë të parë, gjatë legjislaturës së kaluar.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel