Përgjatë gjithë kohës që mbajti postin e kreut të shtetit serb, Boris Tadiç u shfaq si një politikan më i moderuar se shumë të tjerë, edhe pse fryma nacionaliste vazhdon të mbizotërojë në skenën e politikës serbe.

Reagimi i tij për ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe ngjarjet që e pasuan tregon edhe një herë se ish-presidenti serb nuk i është larguar linjës së vetë të mirëkuptimit.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, ai e konsideron të një rëndësie kyçe arritjen e kompromisit historik për pajtimin e popullit serb dhe atij shqiptar. Në të kundërt, paralajmëron ai, rrezikohet e ardhmja e gjeneratave të reja në të dy krahët.

“Nuk mendoj se ka pasur ndonjë dëshirë tepër të madhe për incidente. Kemi pasur një provokim politik me dronin dhe me flamurin e Shqipërisë së madhe nga pala shqiptare në njërën anë. Dhe në anën tjetër kemi pasur një reagim dhe dhunë plotësisht të patolerueshme nga pala serbe të shprehur në terren. Pas kësaj pati edhe sulme plotësisht të papranueshme ndaj shqiptarëve, që kanë furra në Serbi, ka pasur djegie dhe dëmtime të objekteve të tyre, si dhe të objekteve fetare në Suboticë. Këto gjëra në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohen. Ndaj menjëherë kam apeluar që të ulen tensionet dhe të hyjmë në ujëra më të qeta racionale”, ka deklaruar Tadiç.

Me rëndësi, sipas tij, është që vizita e kryeministrit Edi Rama do të realizohet dhe që ajo të përgatitet mirë.

“Më mirë të shtyhet sesa të të anulohet pas të gjitha gjërave që kanë ndodhur në këtë ndeshje futbolli, e cila në fund ka marrë një karakter politik. Është e rëndësishme që kjo vizitë të realizohet dhe mundësisht në një frymë konstruktive mes dy kryeminsitrave. Tema më e vështirë natyrisht do të jetë çështja e Kosovës, por kjo duhet vënë në kontekstin e përgjithshëm në raportet shqitparo-serbe”, ka thënë Tadiç.

Për Tadiç, bashkësia ndërkombëtare do t’i respektojë më shumë të dy vendet nëse i zgjidhin vetë problemet e tyre. Serbët dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë këtë rast si një shans shumë të madh, thotë ai, duke shtuar se ka ardhur koha të zgjidhen problemet e trashëguara nga paraardhësit.

Top Channel