FSHF dorëzon mbrojtjen në UEFA

21/10/2014 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur dosjen e plotë me pamjet
filmike, fotot dhe të gjitha faktet rreth ngjarjes së Beogradit dhe ia ka dorëzuar Komisionit të Displinës pranë UEFA-s.

Pasi është konsultuar me studion e saj të avokatisë, FSHF-ja i është drejtuar edhe dy studiove të huaja, për t’i përfaqësuar nisur nga eksperienca. E para ka qenë një studio britanike, ajo e cila është marrë me formulimin dhe rradhitjen e fakteve për ankimimin që Federata Shqiptare e Futbollit do të bëjë pranë Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, ndërsa e dyta do të jetë një studio zvicerane avokatie, ajo që do të prezantojë të gjithë punën e kryer nga FSHF-ja dhe studioja e mëparshme ligjore.

Ankimimi i palës shqiptare konsiston në 3 pika kyçe të ngjarjes që sollën edhe ndërprerjen e ndeshjes.

Pika e parë është dështimi i palës serbe në organizimin e ndeshjes, një pikë shumë e rëndësishme që nisur edhe nga pamjet tregohet qartë, ashtu si edhe pika e dytë që është hyrja e tifozëve në fushë dhe goditja e skuadrës mike jo vetëm nga tifozët, por edhe nga stjuardët apo punonjësit e sigurisë. Ndërsa pika e tretë janë koret raciste që në fillim të ndeshjes, të cilat më pas vazhduan me injorimin e himnit tonë dhe flamujt me mesazhe politike të ndaluara ku shkruhej “Kosova është Serbi”.

Këto janë 3 pikat kryesore që ndërprenë ndeshjen dhe që së bashku me materialet filmike e fotografike janë në dosjen tonë, që i është dorëzuar Komisionit të Disiplinës së UEFA-s dhe që në mënyrë të menjëhershme sjellin edhe humbjen e ndeshjes së Serbisë në tavolinë me rezultatin 3-0.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit akuzohet për banderolën me simbolet shqiptare dhe për refuzimin për t’u rikthyer në fushën e lojës. Për këtë pikë, që është shumë e rëndë dhe ndëshkuese, pra braktisja e fushës së lojës, në relacionin që do t’i dërgohet UFEA-s shkruhet: “Skuadrës shqiptare në asnjë moment nuk i është kërkuar që të rikthehet në fushëne lojës, thjesht është pyetur nëse janë në gjendje apo jopër të vazhduar ndeshjen. Për këtë pyetje, përgjigjia ka qenë e qartë për të gjithë: “Ne nuk refuzojmë të rikthehemi e të luajmë futboll, por refuzojmë të vdesim.”

Ditën e enjte, më datë 23 tetor, nëpërmjet një video-konference, pala shqiptare e përfaqësuar nga një studio ligjore zvicerane do të mbrojë faktet e saj përballë 5 anëtarëve të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, ashtu si edhe pala serbe e më pas do të jepet vendimi, si për ndeshjen dhe për pikët. Por, ekziston edhe një hipotezë e tretë, ajo që mund të ketë edhe një shtyrje tjetër deri në muajin nëntor.

Top Channel