Shpesh origjina e tyre nuk mund të shpjegohet dhe sipas disa studimeve, shumë prej nesh vuajnë nga një fobi (frikë) të paktën një herë në jetën e tyre.

Fobitë jo të gjitha janë klasike, nga ato që dëgjojmë më shpesh si klaustrofobia (frikë nga hapësirat e mbyllura) apo agorafobia (frikë nga mjedisi i hapur, bosh).

Yahoo ka shpërndarë një listë me 10 fobitë më të kërkuara nga përdoruesit e motorit të saj të kërkimit në muajt e fundit dhe rezultatet flasin për kureshtje edhe për shumë fobi shumë më të rralla.

1)
Në vendin e parë më e kërkuar është agorafobia. Vuajnë persona që kanë frikë nga mjediset e hapura, i zë ankthi sepse druhen se nuk mund të kontrollojnë dot situatën. Personat që vuajnë nga kjo fobi nuk kanë frikë vetëm nga mjediset e hapura, por shpesh edhe nga hapësirat publike, stacionet e autobusëve, trenave apo metrove.

2) Vendi i dytë shkon për tripofobinë. Është frika ndaj objekteve me vrima të vogla, të ngjashme me ato të kosheres së bletës.

3)
Ksenofobia. Të paktë mund të jenë ata që nuk e kanë dëgjuar të paktën një herë në jetë. Bëhet fjalë për frikën ndaj personave të ndryshëm nga ne, persona me fe, kombësi, ngjyrë tjetër. Shpesh shkakton diskriminim. Është një prej fobive më të përhapura dhe ku lëvizjet politike ekstremiste shpesh kërkojnë të fitojnë elektorat.

4) Araknofobia. Jo të gjithë i kanë qejf merimangat, por ka disa që i kanë tmerr dhe i zë paniku. Kush vuan nga kjo fobi nuk trembet vetëm kur vihet në kontakt pamor apo fizik me to, por edhe kur i sheh në foto apo vizatime.

5) Kulrofobia. Është e rrallë dhe përgjithësisht prek më shumë fëmijët. Është frika ndaj kllounëve. Edhe pse nga kjo fobi mund të vuajnë shumë fëmijë, sërish kllounët mbeten një mënyrë mjaft e përhapur argëtimi dhe marketingu.

6) Akrofobia. Është frika nga lartësitë, një ndër fobitë më të përhapura, por që nuk ka ndaluar trendin e fotove të shkrepura nga majat më të larta të botës, që si duket po zëvendëson “selfi”-et.

7) Emetofobia. Është një ndër fobitë më të çuditëshme, por ja që ekziston. Personat e prekur nga kjo në shumicën e kohës tremben se mund të vjellin.

8) Klaustrofobia. Frika nga ambientet e vogla dhe të mbyllura. E keni parë filmin “Buried”, kur kamionisti Paul varroset i gjallë vetëm me një çakmak dhe celularin e tij? Nëse e keni parë atëherë nuk rrezikoheni nga kjo frikë.

9) Hidrofobia. Është frika nga uji. Vetë kjo fobi ndahet në dy nëndegë të mëdha; akuafobia, që është frika për të hyrë në ujë dhe talasofobia, frika nga deti.

10) Niktofobia. Është frika ndaj errësirës. Në listën e përpiluar nga Yahoo në bazë të kërkimeve në motorin e saj radhitet e fundit, por është një ndër fobitë më të përhapura dhe e shfrytëzuar gjërësisht në skenat e filmave horror. 

Top Channel