“Rrjedha e Jugut”, miratimi i BE-së, kërcënim për Ukrainën

21/10/2014 00:00

Miratimi i gazsjellësit rus “Rrjedha e Jugut” do t’i dërgonte një mesazh Ukrainës se Bashkimi Europian nuk është i gatshëm të mbështesë ambiciet e saj për ecur drejt Perëndimit dhe se nuk e sheh atë si një transportues të besueshëm gazi.

Kështu është shprehur kreu i operatorit të gazsjellësit në Sllovaki.

Projekti afro 40 miliardë dollarësh për “Rrjedhën e Jugut” parashikon të transportojë mbi 60 miliardë metër kub gaz çdo vit, nga Deti i Zi drejt Europës jugore, duke anashkaluar Ukrainën, e cila tashmë mbledh tarifat e transportimit të gazit përmes gazsjellësve masivë nga kufiri i saj me Rusinë drejt Europës.

Bashkimi Europian ka bllokuar deri më tani projektin, duke u justifikuar me rregullat e konkurrencës, por Rusia po punon me disa prej shteteve anëtare të BE-së, si Bullgaria dhe Austria, për të përmbushur rregulloren e BE-së, në mënyrë që tubacioni t’u sigurojë qasje edhe prodhuesve të tjerë të gazit.

“Mbështetja potenciale ndaj Rrjedhës së Jugut, veçanërisht nëse bëhet në shkallë të gjerë, nuk është një mbështetje pozitive ndaj partnerit tonë rus, por faktikisht një veprim tërësisht armiqësor ndaj Ukrainës”, tha lideri i “Eustream”, Tomas Marecek.

“Nuk e kuptoj se si BE-ja mund ta mbështesë këtë, e sidomos tani, në kontekstin e ambicieve aktuale të Ukrainës, nevojave dhe shpresave të saj”.

“Rrjedha e Jugut” do t’i privonte Ukrainës të ardhura nga Gazpromi, të cilat ndihmojnë në mbulimin e borxheve të saj të gazit që merr nga eksportuesi shtetëror rus.

“Pikë së pari, kjo do të dëmtonte rëndë Ukrainën. Do t’i shkaktonte asaj humbje të mëdha financiare, do të shkatërronte asetet e saj të gazit, të cilat janë boshti i ekonomisë së tyre, si dhe do të kërcënonte ambiciet e tyre për t’u furnizuar gjithashtu nga Perëndimi”, tha Marecek.

“Eustream”-i i Sllovakisë merr gazin nga Ukraina, duke e çuar atë drejt gazsjellësve rajonalë të BE-së. Nëse “Rrjedha e Jugut” do të ndërtohet, “Eustream” do të humbasë disi nga vëllimi i gazit të transportuar, si dhe disa të ardhura pas skadimit të kontratave afatgjata me Gazpromin në vitin 2028.

BE shqyrton kërkesën prej 2 mld euro të Ukrainës

Ukraina ka kërkuar rreth 2 miliardë euro shtesë, ndërsa autoritetet e BE-së do të konsiderojnë kërkesën për hua së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha një zëdhënës i Komisionit Europian.

“Komisioni mbetet ende i angazhuar në mbështetje të Ukrainës, bazuar mbi premtimet e bëra më herët”, tha zëdhënësi Simon O’Connor në një deklaratë përmes postës elektronike.

Ministri ukrainas i Energjisë ishte në Bruksel gjatë së martës për bisedime me homologun e tij rus, si dhe me Komisionerin e BE-së për Energjinë, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin mbi faturat e papaguara të Kievit ndaj Rusisë.

Top Channel