Aktivisti rus pret veshin në shenjë proteste kundër Putin

21/10/2014 00:00

Pyotr Pavlensky, artist, politikan dhe aktivist anti-Putin në Rusi u vendos sërish në qendër të vëmendjes kur të dielën hipi në tarracën e një spitali psikiatrik të Moskës dhe me një thikë kuzhine preu pjesën e pasme të veshit të djathtë.

Pavlensky u ngjit krejtësisht lakuriq në majë të godinës në shenjë proteste ndaj rikthimit të metodave të ish-Bashkimit Sovjetik ndaj të gjithë kundërshtarëve të pushtetit të Putin.

Ngjarja ndodhi në spitalin psikiatrik “Serbsky”, famëkeq në kohën e komunizmit pasi është pikërisht vendi ku mbyllej pjesa më e madhe e kundërshtarëve politikë të regjimit, pasi më parë “diagnostikoheshin si të sëmurë mendorë” nga një grup mjekësh.

I mbuluar me gjak, Pyotr Pavlensky u mor nga policia e cila e shoqëroi menjëherë në spital. Të hënën duke përdorur faqen në Facebook të bashkëshortes së tij, Pavlensky do të shkruante: “Të armatosur me diagnoza psikiatrie, burokratët me kollare heqin qafe nga shoqëria ato copëza që i pengojnë në instalimin e një diktati monolitik me një normë të vetme për të gjithë”.

Kjo nuk ishte protesta e parë e këtij lloji e Pavlensky-t. Në nëntor të vitit të kaluar në shenjë proteste ndaj qendrimit pasiv dhe fatalizmit të shoqërisë moderne ruse, gozhdoi gjenitalet në Sheshin e Kuq, ndërsa më parë është bërë i famshëm edhe për qepjen e buzëve në shenjë proteste kundër arrestimit dhe më pas dënimit të bandës muzikore “Pussy Riot”.

Në 2013 forma të tilla për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve politikë apo edhe aktivistëve të shoqërisë civile u denoncuan edhe në raportin e “Amnesty International”, ku shprehej shqetësimi i rikthimit të metodave sovjetike në trajtimin e kundërshtarëve, duke i mbyllur ata në institucione psikiatrike.

Top Channel