“Kimi e ka psikologjike, edhe unë kam vuajtur me Alonson”

21/10/2014 00:00

Nëse ka një pilot që e njeh Ferrarin shumë mirë, ai është Felipe Massa. Braziliani që tashmë piloton për Williamsin mbështet finlandezin Kimi Raikkonen, i cili gjatë këtij sezoni të vështirë për skuderinë italiane është mundur sistematikisht në pistë nga shoku i tij i skuadrës, spanjolli Fernando Alonso.

“Mendoj se problemi i Kimit është psikologjik. Edhe unë kam vuajtur shumë me Alonson. Është e qartë që Kimi është më i mirë se kaq dhe këtë e tregojnë rezultatet e së shkuarës, por duke pasur Alonson në ekip nuk po jep rezultatet që mund të japë”, shpjegoi Massa për gazetën braziliane ‘Lance’.

Braziliani u thellua në aspektin mendor: “Jetojmë në një sport detajesh dhe nëse nuk je 100% psikologjikisht, nuk e jep dot maksimumin. Është e lehtë të thuash që Kimi nuk është i motivuar. Të njëjtën gjë thonin edhe për mua.”

Për Massën, “problemi” është Alonso: “Është piloti më i mirë në qarkullim, kështu që nëse nuk je perfekt, vështirë se e përfundon garën përpara tij. Është edhe shumë i zgjuar dhe arrin të marrë mbështetjen e të gjithë skuadrës. Kjo bën që piloti tjetër të vuajë. Kur sheh që shoku yt i skuadrës ka më shumë vëmendje se ty, është e vështirë të kthesh situatën në favorin tënd.”

Top Channel