Shqipëria zgjidhet anëtare e KDNJ-së

21/10/2014 00:00

Shqipëria u zgjodh sot për herë të parë anëtare e Këshillit të të
Drejtave të Njeriut në zgjedhjet e mbajtura në Asamblenë e Përgjithshme
të OKB-së në Nju Jork.

Shqipëria vlerëson se KDNJ ia ka arritur të ndërtojë një platformë vitale për çështjet tematike të të drejtave të njeriut kudo në botë, ku vendet anëtare kanë mundësinë për të diskutuar për to dhe për të marrë veprime konkrete për adresimin adekuat të tyre. Gjatë anëtarësisë së saj 3-vjeçare në KDNJ, Republika e Shqipërisë do të angazhohet për universalizimin dhe pandashmërinë e të drejtave të njeriut, për forcimin e tyre dhe të infrastrukturës së sistemit të OKB-së, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të Këshillit.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme, Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e saj për përmirësimin dhe zbatimin e kuadrit ligjor dhe institucional.

KDNJ është një organ ndër-qeveritar i OKB-së, 47 vendet anëtare të të cilit janë përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë pavarësisht kombësisë, vendbanimit, gjinisë, ngjyrës, fesë, gjuhës, apo ndonjë statusi tjetër.

Top Channel