Historia e djaloshit që braktisi Britaninë për Shkodrën

21/10/2014 00:00

Ermando Bërdica, javën e ardhshme mbush 13 vjeç. Ka lindur në Great Yarmouth në Angli, por ka 4 muaj që jeton në fshatin Trush të Shkodrës.

Pasi erdhi si çdo vit për pushime verore te gjyshërit, me prindërit dhe dy vëllezërit, ai vendosi të mos kthehej më me ta, por të qëndronte në Shqipëri! Madje u thotë dhe familjarëve të bëjnë të njëjtën gjë. Këtu çdo gjë i duket më e mirë dhe më e bukur!

“Anglia është mirë, por i thashë mamit, babit e vëllezërve hajdeni në Shqipëri, jetoni në Shqipëri! Populli këtu është më i mirë, shkolla e shokët më të mirë, familja më mirë, natyra me male të bukura, lopë e pula shumë më mirë”, thotë Ermando Bërdica.

Të gjithë menduan se do të ishte entuziazëm dhe dëshirë kalimtare, pasi nuk gjenin arsye të forta përse një djalë i vogël zgjidhte të jetonte me gjyshërit dhe jo me prindërit në vendin ku ishte rritur.

“Thoshim se po i ndryshon mendja dhe po kërkon të ikë vetë, por ai qante. Dua të rri te nëna dhe gjyshi, në vendlindjen e babit dhe ungjëjve. Këtu ka hapësirë e shokë të mirë, është familje e madhe. Prapë menduam se do të mërzitet e do të ndërrojë mendje, por jo, ai nuk ndjen kurrfarë mërzitje”, shprehet Zyli Bërdica, gjyshja.

Pavarësisht se e merr malli për familjarët, ai është i lumtur që po jeton në Shqipëri. Vendimi i tij u ka sjellë shumë gëzim edhe gjyshërve.

“Jam shumë e kënaqur se fëmijët na kanë ikur herët në emigracion. Darkat janë të mrekullueshme, qeshim dhe nëse na dëgjon dikush, do të mendojnë se janë nja 20 vetë brenda. Askush nuk e beson që jemi vetëm dy gjyshërit me një nip”, thotë gjyshja Zyli Bërdica.

“Ne bashkë lozim domino, lojrat tona shqiptare. Luajmë edhe me letra, i ka qejf dhe i ka mësuar këto. I kallëzoj dhe vjersha shqiptare”, shprehet gjyshi Metush Bërdica.

Veçanërisht nëse trajtohen ngjarje historike! Të gjithë habiten për interesin që Ermando ka për historinë e Shqipërisë dhe për simbolet kombëtare, që i ka kudo në dhomën e tij, madje edhe në ekranin e telefonit.

“Gjyshi më çon të bëj foto te ‘Skënderbeu’ në Tiranë, më thotë. I pëlqen shumë simbolet shqiptare. Më bëri ta çoja tek Isa Boletini, e ka një foto me të. Është shumë i përkushtuar dhe më pyet për historinë e Shqipërisë. Më duket sikur është 25 vjeç, aq pyetje të thella më bën”, deklaron gjyshi i tij.

T’i bësh dhuratë Ermandos është e thjeshtë! Mjafton të ketë shqiponjën dykrenare…

“Nënë, dua një zinxhir të artë me shqiponjën në qendër, më tha. Ta blen gjyshja patjetër, i thashë unë”, vijon Zyli Bërdica.

Zgjedhja e Ermandos për të jetuar në fshatin Trush, ka surprizuar jo pak edhe banorët e tjerë. Ndër të parët ishte drejtori i shkollës, i cili u kujdes për regjistrimin e tij.

“Fëmija më pyeti, a do të bëhet? Me atë shqipen që di shumë mirë, më pyeti a do të regjistrohem? Sigurisht që do të bëhet, i thashë unë, nëse do na ecin punët mirë me dokumentet. Përballë një fëmije që më thoshte me këmbëngulje ‘dua të rri këtu në Shqipëri, se është një vend i bukur, unë e dua flamurin’, kur më tha edhe këtë u emocionova. Kur i thashë djalit po, më përqafoi. Nuk dija ta shpjegoja as si prind dhe as si mësues i vjetër”, tha Abyl Abdyli, drejtor i Shkollës 9-vjeçare Trush.

Ermando u regjistrua në klasën e tetë. Kjo ishte një sfidë e madhe jo vetëm për të, por edhe për mësuesit!

“Gjëja e parë ishte prezantimi me alfabetin shqip, pasi nuk e njihte fare. Kishte dëshirë dhe ka ecur mirë me alfabetin, por ka vështirësi. Gjithsesi për të shkruar shkruan mirë. Kur klasa punon unë vij dhe e orientoj se nuk ka shumë kohë, 45 minuta ikin shpejt. E shoh se ka dëshirë të madhe dhe vullnet prandaj arrin”, deklaroi Altiana Alushi, mësuesja e gjuhë-letërsisë.

Ndërsa nxënësit e klasës, edhe pse kanë kaluar 2 muaj që ai është çdo ditë me ta, kanë ende shumë kuriozitet. Ermando është si një dritare, nga e cila shohin botën!

“Shumë gjëra kanë ndryshuar që kur ka ardhur Ermandoja, edhe në shkollë, edhe kudo. Gjithmonë kam dashur që të vazhdoja anglisht në shkollë, po nuk dija me kë ta praktikoja. Unë i mësoj Ermandos shqip, ai mua anglisht”, thotë Ramazan Ademi.

Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por Ermando mendon se do të qëndrojë përgjithmonë në Shqipëri. Do të bëhet boksier profesionist dhe do të mbrojë flamurin kuqezi!

Top Channel