“Patriotët” e “The Voice of Albania”

21/10/2014 00:00

Spektakli “The Voice of Albania 4” ka nisur udhëtimin! Publiku është njohur jo vetëm me talentët, por edhe me historitë që secili ka sjellë me vete.

Mund të quhen “patriotët” e “The Voice”, të rinj të cilët vijnë nga shtete të ndryshme të botës, për të nisur një karrierë këtu, në vendin e tyre!

Kejsi Verçani është 17 vjeçe. Ajo është lindur në Elbasan, por ditëlindjen e parë e ka festuar në Londër. Për arsye dokumentacioni, asaj dhe prindërve iu deshën të prisnin 12 vjet për të ardhur në Shqipëri. 5 vitet e fundit ata vijnë çdo verë dhe qëndrojnë 1 muaj në Elbasan. Këtë vit, Kejsi vendosi të qëndrojë pak më gjatë.

“Këtë herë doja të njihesha më mirë me vendin tim dhe të shikoja si është jeta këtu. Ne kemi mbajtur përherë lidhje të forta me Shqipërinë. Prindërit më kanë folur përherë për vendin, gjyshin, traditat dhe gjëra të bukura. Madje shihja në televizor përmes Digitalbit edhe emisionet e Top Channel, si Portokallinë, Top Shoë-n, etj… dhe gjithmonë e më shumë më shtohej dëshira për të ardhur në Shqipëri”, shprehet Kejsi.

Nëse nuk do të ishte për theksin, Kejsi flet sikur të mos jetë larguar asnjëherë nga Elbasani…

“Prindërit s’më kanë lënë shanse, që të flisnim anglisht në shtëpi. Ndonjëherë na shpëton edhe ndonjë fjalë anglisht, por në shumicën e kohës flasim shqip”.

Për vajzën, që edhe në Angli ka marrë pjesë në konkurse muzikore, “The Voice” ishte një arsye e fortë për të qëndruar në Shqipëri dhe, nëse do të largohet, ka disa gjëra që do t’i mungojnë shumë…

“Do të më mungojnë miqtë që kam zënë këtu, klima, plazhi por… edhe bugaçet!”, thotë Kejsi.

Historia e Kejsit nuk ndryshon shumë nga ajo e Anna Nikës, familja e së cilës jeton në Greqi.

“Jemi lindur dhe jemi rritur në Greqi. Kam kaluar gjithë jetën time andej, por shqipen nuk e kemi harruar kurrë. Kjo sepse prindërit e mi më kanë rritur me ndienja patriotike”, thotë Anna.

Apo e Alberto Lutit në Itali…

“Nëse do të nisja një karrierë në jetë, do të doja të ishte në vendin tim”, thotë Alberto.

Në “The Voice of Albania” është prezantuar dhe një amerikan, i shqiptarizuar tashmë! Ka 2 vjet që jeton këtu. Është martuar me një vajzë shqiptare dhe do të ketë me të një familje të madhe, sa familja e tij, me 5 motra e vëllezër biologjikë e 4 të adoptuar që ka lënë pas.

“Ne vendosëm të jetojmë këtu”.

Dhe ka shumë arsye përse për momentin vendosën kështu.

“Ne na pëlqen të jetojmë këtu, sepse njerëzit janë të ngrohtë dhe stili i jetës është shumë i bukur. Nuk është si në Amerikë, ku të gjithë e kanë mendjen te puna, por këtu mendojnë edhe për familjen, për shoqërinë etj…”.

Nuk janë të paktë konkurrentët, të cilët “The Voice” e shohin si mundësinë për të shpalosur talentin, por mbi të gjitha të përjetojnë emocione në Shqipëri.

Top Channel